Nevoja për depolitizimin e administratës zgjedhore u diskutua këtë të martë në një tryezë të organizuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhore, prezenca e OSBE në Tiranë dhe asambleja e Këshillit të Evropës, raporton A2 CNN. Kryekomisionieri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, kërkoi që të ketë ndryshime sa i përket administratës zgjedhore, por sipas tij partitë politike nuk duhet të shmangen 100%.
“Në gjykimin tim personal, të paktën në situatën politike dhe sociale ku ndodhet Shqipëria, partitë politike të përjashtohen tërësisht nga administrimi, mendoj se do bënim një gabim të madh, nëse partitë do të shmangeshin tërësisht dhe do thërrisnim vetëm nëpunës civilë”, tha Ilirjan Celibashi, Kryekomisioneri i KQZ.
Për ndërkombëtarët depolitizimi i administratës duhet të ndodh sipas rekomandimeve që janë bërë edhe në të shkuarën. Për ta e rëndësishme është që kush do të zëvendësojë partiakët në proces, të jetë të trajnuar nga KQZ.
“Duhet të ngrihet një strukturë trajnimi e përhershme, ka konsensus politik mes palëve për këtë çështje. Një qendër e tillë e lidhur me KQZ do të siguronte një kuadër të qëndrueshëm dhe profesional për formimin dhe trajnimin në të gjitha ciklet zgjedhore”, tha Liri Kopaçi, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës.
“Kjo qendër do të shërbejë si një nyje për ofrimin e trajnimit të plotë dhe edukimin e votuesve me qëllim krijimin e një numri të zyrtarëve zgjedhor profesionistë dhe të paanshëm”, tha Michel Tarran, Ambasador i OSBE.
“Administrata zgjedhore e pavarur është e rëndësishme për zgjedhje të drejta dhe të lira. Kodi i praktikës së mirë në çështjet zgjedhore identifikon që administrata duhet që të jetë e pavarur. Anëtarët e komisioneve zgjedhore duhet që të marrin trajnim dhe ata që emërohen nuk mund të largohen sipas dëshirës”, tha Sasa Zagorc, përfaqësues i Komisionit të Venecias.
Partitë politike sërish ndajnë mendime të kundërta për këtë çështje. “Ne nuk mund të ecim symbyllur drejt një ideje që mund të jetë e bukur, por mund të rezultojë katastrofike për standardin zgjedhor dhe për legjitimitetin e organizimit të zgjedhjeve”, tha Oerd Bylykbashi, nënkryetar i PD. “Është përgjegjësi e përbashkët që të gjitha palët të angazhohen në mënyrë konstruktive për të ndërtuar një administratë zgjedhore të pavarur. Mbetemi të përkushtuar për ta çuar përpara këtë vizion”, Elena Xhina, përfaqësuese ligjore e PS.
Nga ana tjetër aktorët e shoqërisë civile fajin e hedhin te politika për bllokimin e procesit të depolitizimit të administratës zgjedhore.
/a.r