Policia e Gjirokastrës ka sqaruar lajmin e publikuar në media, për shoqërimin e dy autobusëve me pasagjerë në ambientet e saj ku ka bërë të ditur se seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare bazuar në informacionet e siguruara në rrugë ligjore, ka ndaluar 2 autobusë të linjës Tiranë-Kretë dhe Athinë-Gjirokastër.
Gjatë kontrollit janë konstatuar mallra të dyshuara kontrabandë, dhe për këtë fakt u shoqëruan në ambientet e Policisë për verifikim. Gjatë kontrolleve të ushtruara në dy autobusët policia thotë se gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale 35 kuti me medikamente të ndryshme, disa steka me paketa me cigare, disa kuti me “Nescafe”, qumësht pluhur, vaj ulliri dhe mallra të tjera, të cilat nuk i kishin deklaruar konform ligjit në Pikën Doganore të Kakavijes.
Në vijim të veprimeve procedurale u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për 3 shtetas (shoferët e autobusëve), për veprat penale “Kontrabanda me mallra për të cilat paguhet akcizë ose me pezullim të plotë apo të pjesshëm nga detyrimet doganore ose të akcizës” dhe “Kontrabanda me mallra të tjera”, parashikuar nga nenet 172 dhe 174 i Kodit Penal.
Në lidhje me ankesat e pasagjerëve që kanë qenë duke udhëtuar me këta autobusë, Policia thotë se ka njoftuar shoqëritë përkatëse të cilat dërguan autobusë të tjerë duke mundësuar transportimin e pasagjerëve drejt destinacioneve të tyre.
/S.T