Kuvendi pranon kërkesën e opozitës, ngrihet Komisioni i Posaçëm “Për reformën “Pakti për fëmijët”

Pas kërkesës së depozituar nga një grup deputetësh opozitarë, Kuvendi ka vendosur ngritjen e Komisionit të Posaçëm Parlamentar “Për reformën “Pakti për fëmijët”.

Kjo kërkesë e opozitarëve mori shkas nga ngjarja tragjike e 18 nëntorit, ku pak metra larg shkollës ”Fan Noli”, u qëllua me thikë për vdekje 14-vjeçari Martin Cani.

Ky komision i posaçëm i cili do e shtrijë veprimtarinë e tij në një afat kohor 1 vjeçar, ka për qëllim të drejtojë e koordinojë një proçes të thelluar reformimi të legjislacionit dhe institucioneve përgjegjëse për garantimin e sigurisë së fëmijëve.

Tre janë objektivat e punës së këtij komisioni: Një vlerësim/analizë të situatës aktuale në të gjitha fushat që prekin/ndërthuren apo janë përgjegjëse për sigurinë e fëmijëve; Hartimin e një Strategjie Kombëtare për Fëmijët, e cila të sugjerojë zgjidhje të problematikave aktuale bazuar në interesin më të lartë të fëmijës, si dhe parimeve dhe praktikave më të mira ndërkombëtare; Hartimin dhe  miratimin e ndryshimeve ligjore dhe institucionale, bazuar në zgjidhjet strategjike për të garantuar sigurinë e fëmijëve.

Komisioni i Posaçëm përbëhet nga 21 anëtarë, nga të cilët 11 janë përfaqësues të shumicës parlamentare dhe 10 përfaqësues të pakicës parlamentare. Emrat e anëtarëve përcaktohen me vendim të Kuvendit, duke patur në konsideratë konfigurimin e Kuvendit sipas partive politike me përfaqësim parlamentar.

Sipas deputetëve opozitarë, ky komision synohet të bëhet një platformë kohezive e bashkëkohore që do të adresojë nevojat aktuale dhe do të ofrojë zgjidhje të cilat përkojnë me interesat më të larta të qytetarëve.

Mungesa e një reagimi të menjëhershëm e koherent e institucioneve e politikës, është e pafalshme.

Arsyeja e përgjegjësia publike duhet të dalin në plan të parë për parandalimin  e ngjarjeve të ngjashme.

Ne deputetët nënshkrues të këtij propozimi, paraqesim kërkesën për ngritjen dhe funksionimin e një komisioni të posaçëm parlamentar i cili do të mandatohet për hartimin e një strategjie kombëtare për fëmijët të quajtur “Pakti për fëmijët”.

Ky dokument synohet të bëhet një platformë kohezive e bashkëkohore që do të adresojë nevojat aktuale dhe do të ofrojë zgjidhje të cilat përkojnë me interesat më të larta të qytetarëve.

Dokumenti synon të tejkalojë çdo lloj interesi apo ideologjie partiake duke reflektuar një qasje gjithëpërfshirëse dhe jo politizuese”, deklaruan deputetët opozitarë.

/a.r

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com