Koreja e Jugut gati për konflikt të armatosur? Presidenti Yoon shpall ligjin e luftës

Presidenti i Koresë së Jugut, Yoon Suk Yeol, shpalli ligjin e luftës, në një fjalim të paparalajmëruar sot, duke akuzuar partinë kryesore opozitare të vendit për simpatinë ndaj Koresë së Veriut dhe për aktivitete antishtetërore, sipas CNN.

Yoon nuk tha se çfarë masash specifike do të merreshin.

Yoon i etiketoi veprimet e opozitës si “sjellje të qarta antishtetërore që synojnë nxitjen e rebelimit”.

Ai pretendoi se ”këto akte kanë paralizuar punët e shtetit dhe e kanë kthyer Asamblenë Kombëtare në një strofkë kriminelësh”.

Ai e përshkruan ligjin e luftës si një masë të nevojshme për të çrrënjosur këto “forca të paturpshme proveriore antishtetërore”.

Ai e justifikoi vendimin si thelbësor për të mbrojtur liritë dhe sigurinë e njerëzve, për të siguruar qëndrueshmërinë e vendit dhe për t’i përcjellë një komb të qëndrueshëm brezave të ardhshëm.

Agjencia e lajmeve Yonhap raportoi megjithatë se hyrja në parlament është e bllokuar dhe ligjvënësit nuk mund të hyjnë.

Yoon akuzoi opozitën për kthimin e kombit në një “strehë droge” dhe krijimin e një gjendje çrregullimi të dëmshëm për sigurinë dhe jetesën publike.

Ai tha gjithashtu se Partia Demokratike po përpiqej të përmbyste sistemin liberal demokratik, duke deklaruar se “Asambleja Kombëtare është bërë një përbindësh që minon demokracinë liberale dhe kombi është në një gjendje të pasigurt, në buzë të kolapsit”.

Ai siguroi publikun se ”do të eliminojmë forcat antishtetërore dhe do ta kthejmë vendin në normalitet sa më shpejt të jetë e mundur”.

Ndërsa pranoi se ligji i luftës mund të shkaktonte disa shqetësime, ai premtoi përpjekje për të minimizuar ndikimin e tij në publik.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com