Tezja dhunon mbesën 13-vjeçare, zhduken provat dhe tjetërsohet ngjarja

Emisioni “Stop” në Tv Klan është drejtuar për në Sarandë, ku në vitin 2023 një e mitur 13 vjeçe u dhunua nga tezja e saj, pas një konflikti pronësie mes kësaj të fundit dhe së motrës, nënës së vajzës. Për shkak të moshës së vogël dhe bullizimit që mund t’i bëhet, në vend të 13-vjeçares ka folur mamaja e saj e cila tregon për konfliktin që ka me motrën dhe si ndodhi dhuna ndaj së bijës.

Sipas informacioneve të para të policisë, tezja dhunuese është shoqëruar atë ditë për agresionin ndaj mbesës së mitur.

OPGJ Viktor Gjergji: Ndoshta kanë ardhur vetë, kanë bërë kallëzim, por s’më kujtohet për momentin…

Por zyrtarisht në Policinë e Sarandës, tezja rezulton kallëzuese sikur ajo është e dhunuar nga motra dhe mbesa e saj. Denoncimi i minorenes është marrë në darkë vonë me justifikimin se nuk punonin kompjuterët. Pasi çështja u ndryshua në polici, ajo kaloi në prokurori ku sipas dëshmive, OPGJ Jonida Zhupa është parë e afërt dhe e ulur në kafe me tezen e akuzuar në kohë kur po merreshin deklarimet e ngjarjes, ditë më vonë.

Pas marrjes në pyetje, 13-vjeçarja është shtruar në spitalin e Sarandës, ku ka qëndruar një ditë e shtruar dhe çdo dëmtim është pasqyruar në kartelën e saj mjekësore dhe më pas në akt-ekspertim. Por OPGJ dhe prokurorja Esmeralda Basho nuk e kanë shoqëruar me foto të dhunës dosjen e ngjarjes.

Gazetari: Pse e ke bërë pa kartelën mjekësore shoqëruese dhe pa foto, se nesër, pasnesër.., më kupton? Edhe ne si media, lihet shkak që të themi si do ta apelojnë ose si do të marrin ekspertët e tjerë referencë për të parë që këto gërvishtje apo çjerrje, ça i ka pasur ajo, dëmtime nën 9 ditë? Kanë qenë të sakta? I ka pasur apo s’i ka pasur?

Mjeko-ligjori Arianit Taka: Ato i bën eksperti, prandaj është caktuar eksperti për një vizitë objektive. I interpretoj unë, si i interpretoj unë ato, (shenjat e dhunës) se për atë punë është eksperti, kur janë vizita objektive…

Gazetari: Objektive…nuk duhet të ketë as kartelë, asgjë…?

Mjeko-ligjori Arianit Taka: Nuk mund të ketë, sepse jo çdo dëmtim merr shërbim spitalor…

Gazetari: Ti si mjek, nuk i bën foto dhe ia bashkëngjit aktit?

Mjeko-ligjori Arianit Taka: Foto nuk i bëj unë. Unë i përgjigjem pyetjeve, që më janë bërë aty, as më shumë, as më pak…

Ish-drejtori Policisë Shkencore Vladimir Ikonomi shpjegon se çdo akt ekspertimi i çdo lloj natyre, duhet të jetë i shoqëruar me foto. Për këtë skandal është pyetur edhe prokurorja, por ajo nuk shprehet duke urdhëruar rojen e prokurorisë të demonstrojë forcën ndaj grupit të xhirimit të “Stop”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com