“Shqipëria si gjithë Europa”, Ilir Meta uron nga qelia Ditën e Pavarësisë

Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka uruar nga qelia Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë.

Përmes një postimi në rrjetin e tij social Facebook, Meta shprehet se kremtimi i 112 vjetorit të pavarësisë na fton të gjithëve të bashkohemi në mbrojtje të lirisë e vlerave.

Ai thotë gjithashtu se shqiptarët duhet të dëshmojnë vendosmëri të palëkundur dhe patriotizëm të lartë në përmbushje të aspiratës popullore për ta bërë vendin si gjithë Europa.

Postimi i Metës:

Gëzuar Ditën e Flamurit Kombëtar!

Urime të gjithë shqiptarëve kudo janë 28 Nëntorin e Gjergj Kastrioti Skënderbeut, Ismail Qemalit, Isa Boletinit dhe Adem Jasharit!

Kremtimi i 112-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë na fton të gjithëve të bashkohemi në mbrojtje të idealit të Lirisë, vlerave, identitetit dhe çështjes kombëtare, të Sovranitetit dhe integritetit territorial kundër çdo pushtuesi dhe kolonizatori të vjetër apo të ri, në mënyrë që Flamuri Kuqezi me shqiponjën dykrenare, simboli ynë i shenjtë dhe përbashkues, të valvitet krenar në këto troje, i pastër dhe i pacënuar, njësoj si gjaku i derdhur për të, nga bijat dhe bijtë më të mirë të kombit.

Të dëshmojmë vendosmërinë e palëkundur, mençurinë dhe patriotizmin më të lartë për mbrojtjen e këtyre idealeve e vlerave, si dhe në përmbushjen pa vonesë të aspiratës popullore dhe misionit të nisur në 28 nëntor 1912, nga Ismail Bej Vlora dhe gjithë etërit e Pavarësisë, për ta bërë Shqipërinë si gjithë Europa.

Zoti e bekoftë Flamurin Kombëtar!

Zoti i bekoftë shqiptarët kudo që ata ndodhen! 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com