Ngjarja tragjike ndodhi më 19 nëntor në afërsi të shkollës “Fan Noli”, ku tre të mitur u konfliktuan me njëri-tjetrin dhe si pasojë e plagëve të marra me thikë, 14-vjeçari Martin Cani humbi jetën në Spitalin e Traumës, ka qenë në fokus të emisionit “Jetë Shqiptare.
Në një rrëfim ekskluziv për emisionin, Fiqiri Meçe, babai i Luisit, 14-vjeçarit tjetër që mbeti i plagosur në ngjarjen e rëndë, ka deklaruar se nuk bëhet fjalë për një autor, por për dy. Ai, theksoi, se ka dëshmuar edhe në Polici, pasi bazuar në deklaratat e djalit të tij, autorë kanë qenë dy persona.
Meçe theksoi se është thirrur edhe ditën e sotme nga shefi i krimeve të rënda për të dhënë tjetër dëshmi.
“Dy agresor që kanë sulmuar. Kam dëshmuar dhe në polici për këtë deklaratë.
Normalisht i qëndroj kësaj deklarate. Përderisa i qëndron djali deklaratës i qëndroj edhe unë., Djali është i sigurt dhe unë jam i sigurt. Është normale që kam merak. Fëmijët në shkolla shkojnë për të marrë dije, jo për këto gjera. Jam i shokuar.
Me familjen e autorit nuk kam pasur komunikim. Ndërsa me familjen e viktimës po, sepse djemtë kanë qenë shok. Unë them autorët sepse kanë qenë dy. Autorët as i njoh, as më njohin. As djali si njeh. Viktima i ka njohur djemtë sepse i ka pasur në shkollë. Më ka thirrur shefi i krimeve të rënda për një tjetër dëshmi”, u shpreh ai.
Meçe ka bërë me dije ndërkaq se gjendja shëndetësore e djalit të tij është e mirë, ndërsa shtoi se Luisi ka marrë plagë të shumta në trup. Ai theksoi, se rikuperimi do të marrë kohë.
“Po merr mjekim. Akoma se dimë. Nuk ka hequr akoma tubin që ka në mushkëri për të nxjerrë gjakun që ka brenda që pastrohet. Të shohim ça do na thonë. Nuk lëviz, rri shtrirë, regjim shtrati. Mjekët thonë që do ketë përmirësime, por plagët janë të mëdha, Ka shumë goditje në trup. Pasi të mbaroj mjekimet të shohim, me fizioterapi, sepse ka probleme në këmbë.
Djali flet. Djali nuk është më në intubim. Ideja është që ka shqetësime, i ka goditjet afër zemrës, në brinjë. Djali është futbollist dhe duam të bëhet sa më mirë.
Sepse djali tani ka humbur dhe shokun e vetë dhe është stimuluar dhe më shumë për pasionin e tij për futbollin”, theksoi ai.
Gjykata ka dhënë masën “arrest me burg” për Mario Perlleshaj, autorin e vrasjes së bashkëmoshatarit, 14 -vjeçarit Martin Cani pranë shkollës “Fan Noli”.
Ngjarja e fundit që ka tronditur jo pak opinionin publik bëri bashkë një ditë më parë (21 nëntor) prindër, qytetarë, të rinj e të reja, miq e shokë të 14 -vjeçarit në një marshim drejt Ministrisë së Arsimit në shenjë proteste për më shumë siguri për fëmijët.
Ndërkohë qeveria shqiptare do të nisë një diskutim të gjerë publik lidhur me mundësinë e mbylljes së platformave TikTok dhe Snapchat ose për vendosjen e një kufizimi moshe për përdorimin e rrjeteve sociale.
/a.r