Vrasja e 14-vjeçarit, protestë për sigurinë në shkolla. Qytetarët: Të zbatohen ligjet!

Jashtë shkollës “Fan Noli” këtë të enjte nisi një protestë në formë marshimi për sigurinë në shkolla pas rastit të rëndë ku një 14-vjeçar u vra nga bashkëmoshatari i tij.

Prindër të shumtë, qytetarë, por edhe nxënës ndezën fillimisht qirinj në derën e shkollës. Ata mbanin në duar pankarta të ndryshme, ndërsa më pas u nisën drejt Ministrisë së Arsimit dhe Sportit.

“Institucionet e papërgjegjshme vrasin”, thuhej në pankartën kryesore të tyre.

Tronditja është shumë e fortë tek prindërit nga ky rast.

“Nuk vriten fëmijët, mbrojtje më shumë për ta. Të zbatohen ligjet e shtetit me përpikmëri. Ngjarja është shumë shokuese, jam pa fjalë”, u shpreh një qytetare.

Të tjerë qytetarë venë theksin edhe te roli i familjes.

“Mesazhi jonë si ish-nxënës i “Fan Nolit” dhe banor i lagjes aty jemi të tronditur, por do i kërkojmë të gjithë prindërve që të jenë më të përgjegjshëm për edukimin e fëmijëve dhe njëkohësisht përgjegjësia kryesore është edhe e instancave që qeverisin shkollat. Ministria e Arsimit duhet të jetë më e përgjegjshme për çka ka marrë përsipër të drejtojë. Dinamika tregon se kanë pasur dijeni për çdo lloj gjëje dhe ngjarje kur kanë ndodhur. Kjo nuk na shfajëson edhe ne prindërit”, tha një qytetar.

“Prindër ju lutem vëmendje tek fëmijët tuaj. Komunikoni, mbajini sa më afër. Përfshijini në aktivitete kulturore, çojini në teatër, kinema. Vetëm komunikimi dhe prezenca e prindit është shumë e rëndësishme. Më pas institucionet e tjera. Shkolla duhet të bëjë edukimin komunitar, duhet të përfshijë fëmijët qoftë në një aktivitet për të moshuarit, për të nxitur sa më shumë dashurinë dhe përkujdesjen, sepse me fjalë mund të bëjmë gjëra të mëdha, por me vepra është ajo që duhet të bëjmë. Pra duhet të nxisim tek ta empatinë dhe dashurinë”, tha një qytetare tjetër.

Çfarë kërkojnë prindërit

Prindërit ngrenë kambanat e alarmit sa i takon çështjes së sigurisë në shkolla dhe mbajtjen e përgjegjësisë së autoriteteve përkatëse për sigurinë e fëmijëve në ambientet e shkollave.

Ata kërkojnë:

Më shumë psikologë

Më shumë punonjës socialë

Më shumë oficerë sigurie

Rritje të buxhetit për arsimin

Të bëhet kujdes me gjuhën e urrejtjes

Oraret e fëmijëve

Sipas prindërve nxënësit e shkollave fillore përfundojnë mësimin në orën 12:00 apo 11:00 dhe prindërit janë në punë në atë orar. Orari zyrtar i punës së prindërve është zakonisht 8 me 4. E për këtë arsye sipas prindërve, fëmijët shpesh janë jashtë vëzhgimit të tyre.

/a.r

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com