Kjo është makina Audi A4, e përdorur nga autorët për vrasjen e Klaudio Prendit. Gazetari Besar Bajraktaraj, i cili përcjell edhe pamjet më lart, thotë se automjeti është duke iu nënshtruar një ekspertize në Policinë e Tiranës, për të mësuar më shumë të dhëna që mund të çojnë në identifikimin e autorëve.
Ekspertët në fakt kanë mundur të gjejnë në këtë mjet një pistoletë, që besohet të jetë arma e krimit. Edhe ajo ishte plotësisht e djegur.
Klaudio Prendi u ekzekutua me armë zjarri në zonën e Porcelanit në Tiranë, rreth orës 01:00 të së martës. Ai u vra në momentin që la lokalin ku po qëndronte me miqtë dhe hipi në automjet. Autorët po e prisnin dhe e qëlluam me armë me silenciator pa zbritur nga makina e tyre. Më pas u larguan dhe e dogjën mjetin në zonën e Farkës.
Motivet e kësaj vrasjeje momentalisht nuk dihen, megjithatë policia po heton në disa pista. Ndër më të besueshmet duket se janë konfliktet për shkak të borxheve. Sipas asaj që ka mësuar gazetari Bajraktaraj, viktima dyshohet që ketë pasur një shumë prej 15 mijë eurosh për të kthyer, e për këtë dyshohet ishte konfliktuar fizikisht pak ditë më parë.
27-vjeçari ishte djali i ish-gjyqtarit Fran Prendi. Ky i fundit në dëshminë e tij ka thënë se ishte në dijeni që djali i tij kishte konflikte me të tjerë, por nuk e mendonte se do të përfundonte deri në atentat.
Megjithatë hetimet për vrasjen e të riut janë në vijim, ndaj mbetet për t’u zbuluar se cili është shkaku i ekzekutimit të tij.
/a.r