Një oficer ka mbetur viktimë e një aksidenti të pazakontë ku janë përfshirë dy automjete të policisë në Romë. Makinat e policisë janë përplasur “kokë më kokë” në një kryqëzim në lagjen Monte Mario të Romës.
Efektivi 32-vjeçar Amar Kudin ka humbur jetën dhe tre të tjerë mbetën të plagosur. Dy prej policëve ishin drejtuesit e makinave dhe i treti pasagjer. Një grua u transportua në San Camillo dhe një burrë në spitalin Santo Spirito.
Polici që humbi jetën në aksident është Amar Kudin, i cili ishte në shërbim në komisariatin Primavalle. I lindur në Kroaci, ai mbërriti në Itali në moshë shumë të re, ku nisi të luante regbi në Treviso. Ai luan për Civitavecchia Rugby dhe në të kaluarën ka luajtur edhe për Fiamme Oro.
Aksidenti, në të cilin të dyja makinat u përmbysën , ndodhi rreth orës 5:00 të mëngjesit. Nga një rikonstruksion fillestar, përplasja ndodhi midis një makine nga distrikti i policisë Primavalle dhe një nga njësia Volanti. Makina e Primavalles drejtohej nga një efektiv, i cili mbeti i plagosur ndërsa pasagjer ishte polici i ndjerë dhe një tjetër.
Makina tjetër e policisë ishte duke lëvizur me shpejtësi për në skenën e një sherri.
Për ngjarjen ka reaguar edhe Presidenti italian Sergio Mattarella. “Mësova lajmin për vdekjen e punonjësit të policisë së shtetit Amar Kudin, i ndodhur në Romë në orët e para të ditës së sotme, gjatë një aksidenti rrugor ku u përfshinë dy automjete të policisë së shtetit. Në pikëllim të thellë, shpreh ndjenjat e solidaritetit dhe afërsisë me ju dhe për të gjithë trupën e policisë, duke ju kërkuar që të shprehni ngushëllimet e mia të përzemërta për oficerët e lënduar, uroj nga zemra shërim të shpejtë”, tha Mattarella.
/a.r