Dështimi i Komisionit Hetimor të Shëndetësisë, Koçi: Natyra e pyetjeve ka qenë penale!

Komisioni Hetimor për Koncesinet në Shëndetësi u mbyll pa rezultatet e pritshme nga opozita, teksa ish-ministri Ilir Beqaj nuk dëshmoi.

Lidhur me këtë çështje, në edicionin qendror të lajmeve në Vizion Plus, të moderuar nga Roland Zili, ishte në një lidhje direkte deputeti socialist Petro Koçi.

Intervista:

Sot komisioni hetimor për koncesionet në shëndetësi u mbyll pa marrë dëshminë kryesore, atë të ish-ministrit Beqaj: në funksion të transparencës, a nuk do të ishte më mirë që afati të shtyhej për ta mundësuar këtë dëshmi? Përse refuzuat?

Koçi: Ne refuzuam që komisoni të kthehej në një institucion të privatizuar nga kryetarja. Sa i përket mosmarrjes së dëshmisë përgjegjësia është e kryetares. Nëse keni ndjekur punimet e komisionit, nuk merrej asnjë dëshmi vetëm vazhdohej me një retorikë politike, duke e çuar me ndërgjegje komisionin në dështim. Ky komision që shfrytëzohen si një e drejtë e opozitës për ta kërkuar, përgjithësisht katandisen në hetime me natyrë penale. Në rastin konkret duhet nxjerrë një konkluzion, si p.sh. a shërbejnë koncesionet në shëndetësi, nëse vlejnë a duhen riparë standardet financiare dhe për të parë si mund të jenë më të kontrollueshme.

Sa të vlefshme janë komisionet hetimore në kushtet kur zyrtarët e thirrur nuk pranohen apo nuk paraqiten, apo kur dëshmitë e kërkuara nuk jepen? 

Koçi: Ky komision duhej të ndërmerrte pikërisht këto hapa që unë thashë. Kur rrugës gjen edhe çështjet me natyrë penale ka për detyrë të bëjë kallëzime. Tendenca është gjithmonë për të bërë një show politik. Nëse marrim rastin e kësaj iniciative është ndërmarrë për të bërë një lëvizje paralele me SPAK. Natyra e pyetjeve ka qenë penale. Ka një lloj kënaqësie politikani shqiptar që të perceptohet në publik sikur është prokuror apo gjyqtar. Nuk e di pse është ky lloj epshi i çuditshëm në një rang politikanësh të caktuar. Pse nuk u thirr zoti Beqaj? Pse u ndalua? Sepse kur u ballafaqua zonja Vokshi me dëshmitarët, ajo u shkërmoq në gjithë agjendën e saj.

/a.r

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com