Korçë/ Zjarr në ambientet e brendshme të një pallati 8-katësh, banorët dalin nga shtëpitë në panik

Zjarr në ambientet e brendshme të një pallati 8-katësh në lagjen nr. 4 të qytetit të Korçës.

Banorët thonë se janë përfshirë nga paniku pasi pallati pothuajse i gjithi, në veçanti katet e larta, janë mbuluar nga tymi që vinte nga kati i dytë i këtij pallati, nga një ambient i përbashkët.

Në kushte të tilla të gjithë banorët kanë qenë të detyruar të dalin jashtë pasi rrezikoheshin nga asfiksimi, shkruan A2 CNN.

Nga ana e shërbimit zjarrfikës bëhet me dije se zjarri mendohet të ketë rënë në një ambient të përbashkët të katit të dytë aty ku kalojnë të gjithë tubacionet e pallatit, përfshi ato të energjisë elektrike, të ujit të pijshëm dhe tubacionet e tjera.

Zjarri ka përfshirë objekte që duket janë lënë nga banorët dhe më pas kanë shpërthyer tubat e ujit të pijshëm, duke shkaktuar probleme të tjera për banorët.

Ka qenë i menjëhershëm reagimi i shërbimit zjarrfikës dhe punonjësve të OSSHE të cilët kanë bërë të mundur izolimin e flakëve si dhe kanë bërë shkëputjen e energjisë elektrike.

Nga paniku banorët kanë dalë jashtë ndërkohë që po ndërhyet për të pastruar të gjithë ambjentin.

Raportohet se drejtoria e ujësjellësit do të bëjë ndërprerjen e ujit deri në rregullimin e plotë të sahateve të djegur

“Ne pamë tym fillimisht në korridor jashtë, pastaj hapëm dyert e ujësjellësit ku kalojnë tubot e ujit, korentit kishte rënë zjarr.

Ato i shuam, u lajmërua zjarrfiksja erdhi, tani është mbytur gjithë pallati nga uji, janë çarë të gjitha tubot, ujin e kanë ndërprerë dhe kemi mbetur të gjithë jashtë. Lart nuk hyn dot nga tymi, te kati i 4 nuk hyn dot, nuk duket fare”, shprehet një banor për Report Tv.

Ndërkohë një banor tjetër ka thënë se shpërthyen tubat e ujit.

“Shpërthyen tubat e ujit,u çanë,u mbush dynjaja me ujë.Lart dilte tym por se dimë se ku. Ne vetëm kur na thanë dilni jashtë lajmëruar zjarrfiksen erdhën ata, u mbyll uji, drita nuk kemi,tashi nuk e dimë si do vazhdojë” thotë një banore tjetër për Report Tv.

“Ra zjarri lart në katet lart dhe shpërthyen tubat e ujit.Banorët e kateve sipër ishin më të rrezikuarit ne dolëm jashtë në moment”, shprehet një banor tjetër.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com