Zyra e OKB-së për të Drejtat e Njeriut ka dënuar numrin e lartë të civilëve të vrarë në luftën në Gaza, duke thënë se analiza e saj tregon se afërsisht 70% e viktimave të verifikuara gjatë një periudhe gjashtëmujore ishin gra dhe fëmijë.
Agjencia tha se numri i lartë ishte kryesisht për shkak të përdorimit të armëve nga Izraeli në zona me popullsi të dendur, megjithëse disa vdekje mund të kenë qenë rezultat i predhave të gabuara nga grupet e armatosura palestineze.
Raporti tha se gjeti nivele “të pashembullta” të shkeljeve të ligjit ndërkombëtar, duke ngritur shqetësime rreth “krimeve të luftës dhe krimeve të tjera të mundshme.
Agjencia e OKB-së tha se verifikoi detajet e 8.119 personave të vrarë në Gaza nga nëntori 2023 deri në prill 2024. Analiza e saj zbuloi se rreth 44% e viktimave të verifikuara ishin fëmijë dhe 26% gra. Moshat më të përfaqësuara në mesin e të vdekurve ishin nga pesë deri në nëntë vjeç.
Rreth 80% e viktimave u vranë në ndërtesa banimi, shtoi agjencia. Raporti tha se të dhënat tregojnë “një indiferencë të dukshme ndaj vdekjes së civilëve dhe ndikimit të mjeteve dhe metodave të luftës”.
Ministria e shëndetësisë e Gazës e drejtuar nga Hamasi, shifrat e së cilës OKB i sheh si të besueshme, ka raportuar një numër të vdekjeve prej më shumë se 43.300 njerëz gjatë 13 muajve të fundit. Shumë trupa të tjerë besohet se kanë mbetur nën rrënojat e ndërtesave të bombarduara.
Ministria e shëndetësisë tha se mori të dhëna të plota demografike për shumicën e të vrarëve dhe raportoi se fëmijët përbëjnë një në tre të atij numri.
Shefi i OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Volker Turk tha në një deklaratë se “ky nivel i paprecedentë i vrasjeve dhe plagosjeve të civilëve është pasojë e drejtpërdrejtë e dështimit për të respektuar parimet themelore të së drejtës ndërkombëtare humanitare”.
Ai përmendi ligjet, të cilat u kërkojnë palëve ndërluftuese të bëjnë dallimin midis luftëtarëve dhe civilëve, proporcionalitetin, i cili ndalon sulmet ku dëmi ndaj civilëve tejkalon avantazhin ushtarak dhe masat paraprake në sulme.
IDF i ka thënë më parë në përgjigje të kritikave se “do të vazhdojë të veprojë, siç ka bërë gjithmonë, sipas ligjit ndërkombëtar”. Raporti tha gjithashtu se mënyra se si palët ndërluftuese e kanë kryer konfliktin në Gaza “ka shkaktuar vuajtje të tmerrshme njerëzore”.
OKB-ja tha se grupet e armatosura palestineze kanë zhvilluar luftë në zonat me popullsi të dendur, duke kontribuar me gjasë në numrin e të vdekurve, ndërsa IDF ka shkatërruar infrastrukturën civile dhe “ka lënë shumë persona të plagosur, të zhvendosur dhe të uritur, pa qasje në ujë, ushqim ose kujdes të mjaftueshëm shëndetësor”.
Situata është më e keqe në Gazën veriore, për të cilën grupet e ndihmës thonë se ka qenë nën rrethim që nga fillimi i tetorit, kur Izraeli nisi një ofensivë të re tokësore kundër Hamasit. OKB tha se asnjë ndihmë ushqimore nuk hyri në veri gjatë dy javëve të para të tetorit.
Kjo bëri që SHBA t’i jepte një ultimatum Izraelit për të rritur ndihmën deri më 12 nëntor ose rrezikonte të humbiste mbështetjejen ushtarake.
Izraeli filloi ofensivën e tij aktuale ushtarake në Gaza pas sulmit të Hamasit më 7 tetor 2023 që vrau 1200 njerëz në Izrael dhe mori 251 pengje përsëri në Gaza./ BBC
/a.r