Pas përmbytjeve që shkaktuan një tragjedi me qindra viktima në Valencia, stuhitë kanë shkaktuar përmbytje të reja në Spanjë dhe i prekur rëndë është rajoni i Girona-s në veri-lindje të vendit.
Rrjedha e ujit e krijuar nga intensiteti i lartë i reshjeve ka marrë përpara duke i hedhur në lum 30 makina në qytetin e Cadaqués, sipas raportimeve të mediave spanjolle.
Videot e postuara nga një gazetar lokal tregojnë një përrua uji që derdhet në rrugë dhe një grumbull makinash që përplasen në muret mbrojtëse të një ure.
Shërbimi zjarrfikës i Katalonjës njoftoi se nga përmbytjet në Cadaqués në orët e hershme të mëngjesit të së premtes nuk pati njerëz të lënduar, ndërsa moti potencialisht i rrezikshëm pritet gjatë natës në rajon.
Shërbimi meteorologjik i Katalonjës ka lëshuar një paralajmërim për shi nga e premtja në mbrëmje deri të shtunën pasdite për zonën e Alt Emporda, ku ndodhet Cadaqués. Agjencia e motit paralajmëroi se intensiteti i shiut mund të kalojë 20 mm në 30 minuta.
Agjencia regjistroi 76.8 mm shi në Cadaqués mbrëmjen mes 7 dhe 8 nëntorit, me më shumë se 100 mm të regjistruara në dy qytete të tjera aty pranë. Në Spanjë kanë rënë më shumë se 72% më shumë reshje nga 1 tetori deri më 5 nëntor sesa vlera normale për atë periudhë kohore, sipas Aemet, agjencia spanjolle e motit.
Reshjet, për të cilat ekspertët thanë se u intensifikuan nga ndryshimet klimatike, çuan në përmbytje të shpejta që bllokuan njerëzit në makinat dhe shtëpitë e tyre në Valencia.
Më shumë se 200 njerëz humbën jetën javën e kaluar në një nga përmbytjet më të këqija në Evropë gjatë këtij shekulli, ndërsa fatkeqësia ndezi zemërim të fortë tek autoritetet për mos lëshimin e alarmeve emergjente më herët.
/a.r