“E vret për 120 mijë euro?”/ Planifikoi eliminimin e gruas, Apeli i GJKKO dënon me 4 vjet e 8 muaj burg Alban Bengasin

Apeli i GJKKO dënoi me 4 vjet e 8 muaj burg Alban Bengasin. Ndaj tij është aplikuar gjykimi i shkurtuar, duke përfituar uljen e dënimit prej 7 vitesh që u dha nga Gjykata.

Sipas vendimit të Apelit të GJKKO-së, vuajtja e dënimit me burgim të kryhet në një institucion të ekzekutimit të vendimeve penale të sigurisë së lartë.

Bengasi është përmendur në dëshminë e të penduarit të drejtësisë Nuredin Dumani, ku thuhet se i kishte ofruar atij shumën prej 120 mijë eurosh për të vrarë ish-bashkëshorten e tij, ndërsa më herët ishte porositur gjymtimi i saj.

Ngjarja ka ndodhur në datë 30 janar të vitit 2020, rreth orës 11:15 pasdite në rrugën “Milhal Grameno”. Blerta Bengasi ka hyrë në automjetin e saj dhe në këtë moment është goditur disa herë me grushte në fytyrë dhe mbrapa koke.

Avokati Bengasi u arrestua në shtator 2023 në aeroportin e Rinasit, pasi u kthye nga Dubai ku qëndronte prej 16 muajsh në arrati.

Njoftimi zyrtar

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Florjan Kalaja (kryesues), Dhimitër Lara (anëtar), dhe Engert Pëllumbi (anëtar), më datë 07.11.2024, shpalli vendimin lidhur me çështjen e regjistruar me nr. 43 akti, datë 17.07.2024 regjistrimi, mbi ankimin e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar si dhe mbi ankimit e ankuesit/të pandehurit A.B., kundër vendimit nr. 31, datë 09.05.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, që ka vendosur:

Deklarimin fajtor të të pandehurit B. për kryerjen e veprës penale “Dhuna në familje”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 130/a-1 dhe 25 të Kodit Penal dhe në bazë të kësaj dispozite, dënimin e tij me 2 (dy) vite burgim.

Deklarimin e pafajshëm të të pandehurit B. për kryerjen e veprës penale “Grupi i strukturuar kriminal” të parashikuar nga neni 333/a/2 të Kodit Penal.

Në aplikim të nenit 406/1 të K.Pr.Penale, të pandehurit B., i ulet 1/3 e dënimit, duke u dënuar përfundimisht me 1 (një) vit e 4 (katër) muaj burgim.

Vuajta e dënimit fillon nga dita e ekzekutimit të vendimit të caktimit të masës së sigurimit arrest në burg, në mungesë të këtij shtetasi.

Në aplikim të nenit 190 të K.Pr.Penale, të pandehurit B. ti kthehet pasaporta e sekuestruar ditën e ndalimit të tij.

Shpenzimet procedurale në fazën e hetimeve paraprake në shumën 14,598 katërmbëdhjetë mijë e pesëqind e nëntëdhjetë e tetë) lekë dhe ato gjyqësore, mbeten në ngarkim të të pandehurit.

Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve, në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, duke filluar ky afat nga e nesërmja e komunikimit të vendimit të arsyetuar.

Në përfundim, Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi:

Ndryshimin e Vendimit nr. 31, datë 09.05.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

Deklarimin fajtor të të pandehurit Z. A.B. për kryerjen e verës penale të parashikuar nga neni 130/a paragrafi i parë në lidhje me nenin 28 paragrafi i katërt dhe nenin 334 pika 1 të Kodit Penal, duke caktuar si dënim masën prej 7 vjet burgim.

Deklarimin fajtor të të pandehurit Z. A.B. për kryerjen e veprës penale të parashikuar nga paragrafi i dytë i nenit 333/a të Kodit Penal, duke caktuar si dënim masën 3 vjet burgim.

Në bazë dhe për zbatim të paragrafit të tretë të nenit 55 të Kodit Penal, bashkimin e dënimeve në një dënim të vetëm në masën 7 vjet burgim.

Në bazë dhe për zbatim të pikës 1 të nenit 406 të Kodit të Procedurës Penale, uljen e dënimit me një të tretën e tij, duke mbetur përfundimisht 4 vjet dhe 8 muaj burgim.

Vuajtja e dënimit me burgim të kryhet në një institucion të ekzekutimit të vendimeve penale të sigurisë së lartë.

Shpenzimet e procedimit penal i ngarkohen të pandehurit Z. A.B..

Kundër këtij vendimi mund të bëhet rekurs në Gjykatën e Lartë brenda 45 ditëve, duke nisur ky afat nga e nesërmja e njoftimit të vendimit të arsyetuar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com