Dyshohet se çuan në vetëvrasjen e të rinjve, 7 familje franceze padisin TikTok

Shtatë familje franceze po çojnë TikTok në gjykatë, duke akuzuar rrjetin social për “dëmtim të drejtpërdrejtë” të shëndetit të të rinjve që çoi në vdekjen e dy prej tyre në moshën 15-vjeçare. Kjo është bërë e ditur për mediat nga avokatja e tyre, e cila ka ngritur padi.

“Kombinimi i dizajnit varësues të aplikacionit me mungesën e moderimit të përmbajtjes krijon një produkt vërtet problematik. Viraliteti përzihet me përmbajtje të dëmshme,” tha për Euronews, avokatja Boutron-Marmion.

TikTok tha se prindërit mund të kontrollojnë dhe kufizojnë përdorimin e aplikacionit nga adoleshentët e tyre përmes modalitetit ‘Lidhja familjare’ dhe theksoi se ka më shumë se 630 moderatorë që flasin frëngjisht në platformë.

“Kur njerëzit kryejnë një kërkim që përfshin fjalë të tilla si vetëvrasja, ata ridrejtohen menjëherë në një faqe me burime të dedikuara, si dhe një numër për një linjë ndihmëse lokale ose linjë telefonike parandaluese”, tha TikTok.

Boutron-Marmion nënvizoi gjithashtu cenueshmërinë e fëmijëve dhe adoleshentëve të cilët mund të përballen me përmbajtje që promovon vetëdëmtim, ose vetëvrasje.

Stéphanie Mistre, nëna e një prej adoleshentëve që u vetëvra, tha për mediat franceze se “vajza e saj mund të ishte ende këtu sot” nëse nuk do të ishte për aplikacionin.

Ajo paraqiti një ankesë në shtator të vitit 2023, për ‘nxitje të vetëvrasjes’, ‘dështim për të ndihmuar një person në rrezik’ dhe ‘propagandë ose reklamim të mjeteve për të kryer vetëvrasje’ që ende udhëzohet sipas mediave franceze.

“Përkeqësimi i gjendjes shëndetësore të adoleshentëve është shumë, shumë serioz. Këta janë fëmijë që ose i janë afruar vdekjes ose nuk janë më këtu”, tha Boutron-Marmion.

Ajo vuri në dukje se versioni i aplikacionit i vendosur në Kinë, Douyin, ka masa mbrojtëse për llogaritë e të miturve, si një afat kohor ditor ose një bllokim digjital.

“TikTok sot do të paraqitet para gjykatës franceze dhe do të duhet të përgjigjet me argumente. Pas kësaj, u takon gjyqtarëve që të vendosin”, tha ajo.

Muajin e kaluar, disa shtete amerikane paditën TikTok se ka dëmtuar shëndetin mendor të të rinjve.

Aplikacioni i Bytedance nuk është i vetmi nën kritika, Meta – kompania mëmë e Facebook, Instagram dhe Snapchat është vënë në shënjestër të veprimeve ligjore në lidhje me ndikimin e mundshëm të platformave tek përdoruesit e tyre të rinj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com