“3 arsyet që i dhanë fitore plebishitare Trump”, eksperti: Demokratët kanë shkuar shumë majtas

Eksperti i Marrëdhënieve Ndërkombëtare, Ledion Krisafi, ka treguar në ‘Ditari i Pasdites’ me gazetaren Bruna Çifligu në A2 CNN tre arsyet që i dhanë fitoren e thellë republikanit Donald Trump.

Sipas Krisafit, emigracioni i paligjshëm, inflacioni i lartë dhe spostimi i Partisë Demokratike shumë majtas janë 3 arsyet kryesore që çuan në fitoren e Trump.

Ai shtoi gjithashtu se ka ndodhur një paradoks në politikën amerikane, sipas të cilit, Partia Republikane nga parti e elitave dhe e të pasurve është kthyer në parti të punëtorëve dhe e anasjellta me Partinë Demokratike.

“Fitorja e votës popullore ishte e papritur, sepse nuk kishte fituar asnjëherë Donald Trump. Një figurë kaq kontraverëse, problematike dhe përçarëse të votohej kaq masivisht nuk pritej. Trump praktikisht ka fituar të 7 shtetet që ishin të lëkundur dhe kjo ishte një lloj surprize. Ishte një fitore e qartë e Donald Trump dhe një lloj mandati le të themi që populli amerikan i ka dhënë. Në 2016 nuk fitoi votën popullore.

Janë 3 arsye kryesore të fitores së Trump. E para lidhet me emigracionin e paligjshëm që kishte krijuar një problem shumë të madh në SHBA. Kufiri jugor ishte shpartalluar. Në 4 vite kanë hyrë 8-10 milionë emigrantë, një pjesë e të cilëve kanë kryer edhe krime e problematika.

E dyta ka lidhje me inflacionin. Inflacioni ishte problemi kryesor i 4 viteve të fundit, pasi ekonomia ishte shumë mirë. Kishte një rritje të konsiderueshme çmimesh në këto 4 vite.

Arsyeja e tretë është se PD në SHBA ka shkuar shumë majtas, pra është bërë shumë më liberale se ç’ka qenë më para. Sidomos në çështje që lidhen me problem gjinore, transgjinore dhe komunitetin LGBT. Fakti që një pjesë e madhe e latinëve kanë votuar për Trump është ky fakt.

Po ashtu ka ndodhur një paradoks në politikën amerikane, ku republikanët kanë qenë partia e elitave, e të pasurve, ndërsa demokratët partia e punëtorëve. Tani demokratët janë bërë partia e të pasurve dhe republikanët partia e punëtorëve”, tha Krisafi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com