Rruga e dytë drejt Shëngjinit, anija “Libra” niset me 8 emigrantë në bord

Anija patrulluese e marinës italiane “Libra” ka marrë për herë të dytë rrugën drejt Shqipërisë, për të zbarkuar këtë herë në portin e Shëngjinit, 8 emigrantë të kapur dy ditë më parë në jug të Lampedusës.

Anija e marinës pritet të mbërrijë mëngjesin e së enjtes në brigjet shqiptare dhe emigrantët pas ekzaminimeve në Shëngjin do të dërgohen në kampin e Gjadrit.

Pas vendimit të Gjykatës së Romës për ndalimin e dërgimit të emigrantëve në Shqipëri dhe kthimin e tyre në Itali, Këshilli i Ministrave në Itali ka miratuar një dekret ligjor për këtë çështje.

Masa synon të kapërcejë ngërçin e krijuar nga vendimi i gjyqtarëve për të mos vleftësuar mbajtjen e disa azilkërkuesve në qendrën e pritjes së Gjadrit për shkak se vijnë nga vende të pasigurta.

Sakaq, Ansa raporton se 71 emigrantë mbërritën gjatë natës në Lampedusa, ndërsa në total në ishull zbarkuan 16 varka me 700 persona.

/a.r

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com