Zjarret dhe përmbytjet, Çako: 95 projekte me vlerë 3.65 miliardë lekë për përballimin e emergjencave

Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, Haki Çako, u shpreh në një intervistë për Agjencinë Telegrafike Shqiptare se, “prioriteti themelor i projekteve për mbrojtjen civile në nivel lokal dhe strategjitë për zvogëlimin e rrezikut nga fatkeqësitë natyrore është reduktimi i rrezikut dhe forcimi i kapaciteteve vendore për të përballuar emergjencat përmes infrastrukturës parandaluese dhe përmirësimit të reagimit të njësive vendore”.

Këto projekte, theksoi ai për ATSH-në, “kanë një rol kyç në forcimin e kapaciteteve parandaluese dhe përmirësimin e përgjigjes ndaj fatkeqësive, duke siguruar mjete dhe infrastruktura të përshtatshme për përballjen me situata emergjente”.

Mbështetja financiare dhe koordinimi qendror

Sipas Çakos, “fondi i parashikuar për projektet e mbrojtjes civile do të përcaktohet nga Ministria e Financës, bazuar në vlerësimet e nevojshme financiare për mbështetjen e projekteve të propozuara nga njësitë vendore”.

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile, nënvizoi ai “ka rol koordinues, drejtues dhe mbikëqyrës në të gjitha fazat e zhvillimit të projekteve, duke ofruar udhëzime teknike dhe duke administruar mbështetjen financiare për zbatimin efektiv të tyre, sipas përcaktimeve ligjore”.

Sfidat dhe bashkëpunimi në nivel vendor

“Njësitë vendore përballen me sfida të shumta, përfshirë mungesën e fondeve të qëndrueshme, kapacitete të kufizuara teknike dhe logjistike, si dhe nevojën për trajnime të vazhdueshme për stafin”, shtoi Ҫako.

Ai theksoi se, “në nivel lokal zhvillohen fushata informuese dhe sensibilizuese, si në Ditën Ndërkombëtare të Zvogëlimit të Rreziqeve nga Fatkeqësitë më 13 tetor, duke përfshirë qytetarët në aktivitete ndërgjegjësuese”.

Përmirësimi i gatishmërisë për emergjenca

Ҫako u shpreh se, “njësitë vendore po rrisin kapacitetet e tyre për përballimin e situatave emergjente si përmbytjet, zjarret dhe tërmetet, përmes trajnimeve dhe investimeve në pajisje moderne”.

Po ashtu, shtoi ai, “Agjencia organizon trajnime specifike, siç ishte stërvitja e fundit në Dibër për përgatitjen ndaj fatkeqësive gjatë dimrit, e cila forcon aftësitë e stafit lokal për të menaxhuar emergjencat”.

Teknologjia dhe arritjet deri më sot

“Teknologji të reja, si sistemet e monitorimit dhe paralajmërimit, po përdoren për të përmirësuar reagimin e shpejtë dhe efektiv ndaj situatave emergjente”, theksoi kreu i AKMC.

“Agjencia ofron fonde të kushtëzuara dhe mbështetje logjistike për emergjencat civile, për parandalimin e fatkeqësive natyrore dhe rehabilitimin e digave, në përputhje me buxhetet e përcaktuara çdo vit”, tha ai.

Ҫako nënvizoi se, “njësitë vendore po rrisin kapacitetet njerëzore dhe logjistike, duke zhvilluar trajnime dhe investuar në pajisje moderne që ndihmojnë në përballimin efektiv të emergjencave”.

Po ashtu, ai shtoi se, “po, zhvillohen trajnime të ndryshme si stërvitja e fundit në tavolinë në Dibër për menaxhimin e fatkeqësive gjatë dimrit, e cila forcon aftësitë dhe gatishmërinë e njësive vendore”.

Ҫako u shpreh se, “nga viti 2021 deri në 2024 janë realizuar gjithsej 95 projekte në vlerë prej rreth 3.65 miliardë lekësh, duke kontribuar në përmirësimin e infrastrukturës dhe forcimin e kapaciteteve përballuese të njësive vendore”.

Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, Haki Çako theksoi se, “këto projekte kanë sjellë impakt të dukshëm, duke rritur gatishmërinë dhe qëndrueshmërinë e komuniteteve lokale ndaj fatkeqësive natyrore”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com