“The Washington Post”: Populizmi i sotëm, kërcënim për demokracinë

Janë të shumta mësimet që mund të nxirren nga popullariteti i Donald Trump, por edhe zgjedhja e tij e mundshme për një mandat të dytë në zgjedhjet e të martës së ardhshme. Njëri prej tyre është: Shtetet e Bashkuara nuk janë të imunizuara apo të izoluara nga prirjet politike dhe baticat që prekin vendet e tjera, sidomos demokracitë e tjera.

Aktualisht po përballemi me një valë të populizmit global, ose ndoshta nga dy valë. Njëra buron nga e majta, dhe tjetra nga e djathta. Partitë dhe politikanët tradicionalë, nuk kanë gjetur ende një mënyrë efektive për t’iu kundërvënë kësaj prirje dhe dështimi i tyre për ta bërë këtë, është në qendër të rrezikut me të cilin përballet demokracia.

Në disa aspekte, populizmi i gërryen nga brenda demokracitë. Ai e ashpërson diskursin politik, i ushqen ndarjet sociale duke i promovuar çështje të politikës në terma ekzistencialë të tipit “ne kundër atyre”, dhe ushqen një mosbesim të gjerë ndaj institucioneve dhe ekspertizës.

Pjesë e kësaj qasjeje, është fajësimi i emigrantëve dhe pakicave raciale ose etnike për të gjitha problemet që ka vendi. I tillë është edhe shfrytëzimi i ankthit ekonomik dhe pabarazisë, me anë të të cilave “njerëzit e zakonshëm” cilësohen si viktima të interesave të të gjithëpushtetshmëve, të padukshmëve, që shpesh përshkruhet si “elita”.

Populistët e personalizojnë politikën nëpërmjet partive politike që sillen rreth tyre, apo në rastin e Trump dhe Partisë Republikane, duke i kthyer ato mjete për çuarjen përpara të interesave të tyre. Bindjet e tyre kryesore, mund të përshtaten shpejt në varësi të rrethanave.

Retorika e tyre shpesh është e mbushur me ftesa për akte dhune. Kur janë në pushtet, populistët shfaqin shpesh prirje autoritare. Kushdo që i kritikon ata bëhet armik, përfshirë mediat, gjykatat dhe parlamentet. Ndërkaq ata i shmangin normat politike, dhënien e llogarisë dhe tregohen të paduruar me kontrollet dhe ekuilibrat tradicionalë.

E përsëritim: Që të gjitha këto tipare e karakterizojnë Donald Trumpin, por asnjëra nuk është unike për të apo e pashembullt në të kaluarën e afërt. Në shumë mënyra, karriera e ish-kryeministrit italian Silvio Berlusconi, një shoumen miliarder, ofron një paralele të ngjashme historike.

Ai e themeloi partinë Forza Italia në vitin 1994 nga mbetjet e opozitës konservatore të përçarë, dhe e ngjiti atë në pushtet duke e dominuar për një brez politikën italiane. Berluskoni u rreshtua kundër “grindjeve idiote dhe politikanëve pa një punë të vërtetë”, ndërsa paraqitej në publik si një biznesmen i suksesshëm.

Ai u bë i famshëm për deklaratat skandaloze, siç ishte krahasimi i një ligjvënësi gjerman me një roje naziste në kampet naziste të përqendrimit. Ai e rrethonte veten me gra me veshje esktravagante, mburrej për aftësitë e tij seksuale, dhe u bë famëkeq për të ashtuquajturat “festat bunga bunga”.

Por sado që establishmenti politik dhe mediatik i Italisë krekosej në resortet e Berluskonit, ai kishte një rol kyç në një segment të elektoratit. Përkrahësit e tij e admironin mënyrën e thjeshtë të të folurit dhe gatishmërinë e tij për të sfiduar status kuonë.

Ish-kryeministri i Tajlandës Thaksin Shinaëatra, një tjetër miliarder, u zgjodh në vitin 2001 nën siglën e një parti politike të re Thai Rak Thai (Tajlandezët i duan Tajlandezët). Shqetësimi i Thaksin për të varfërit, përfshirë mbështetjen për kujdesin shëndetësor me kosto të ulët, dhe një skemë mikrokrediti në zonat rurale, i dha atij shumë popullaritet.

Ndërkaq, nisi edhe një luftë brutale kundër drogës, ku vrasjet pa gjyq shkaktuan shumë se 2.000 viktima. Popullariteti dhe autoritarizmi i Thaksin e kërcënoi establishmentin konservator të Tajlandës, dhe veçanërisht ushtrinë. Ai u përmbys përmes një grushti shteti në vitin 2006, dhe vazhdoi të ushtronte ndikim nga mërgimi.

Vajza e tij është kryeministrja aktuale e Tajlandës, dhe ai mbetet i plotfuqishëm në prapaskenë. Një populist tjetër aziatik, ish-presidenti i Filipineve Rodrigo Duterte, e mori pushtetin falë stilit të tij të komunikimit me publikun, dhe për shkak të famës që fitoi me qasjen e tij shumë të ashpër ndaj krimit gjatë detyrës si kryebashkiak i një qyteti në jug të vendit.

Edhe ai ndërmori një luftë brutale kundër trafikantëve të drogës, që solli vdekjen e të paktën 12.000 filipinasve. Nga ana tjetër, Duterte bënte kërcënime të nënkuptuara ndaj kritikëve dhe ushtroi presion mbi mediat e pavarura. Ai u largua nga detyra me një popullaritet të jashtëzakonshëm, gati 90 për qind. Tani vajza e tij Sara është zëvendëspresidente.

Gjithsesi, populistët nuk i shkatërrojnë gjithmonë institucionet demokratike që lehtësojnë ngritjen e tyre. Në fakt, ata mund të tejkalohen dhe pastaj të mposhten në kutinë e votimit. Votuesit i rrëzuan nga pushteti populistët në Poloni dhe Republikën Çeke vitin e kaluar, dhe në Greqi më 2019.

Partitë demokratike kryesore, duhet të njohin si problem pasigurinë reale ekonomike dhe kulturore, ku mbështen zakonisht populistët, të respektojnë bazën e tyre të votuesve pa anashkaluar prirjet e saj më të këqija, dhe të trajtojnë me seriozitet çështjet më delikate si emigracioni, krimi dhe varësia nga droga.

Ata duhet t’u tregojnë qytetarëve se qeveria dhe institucionet mund t’i zgjidhin problemet. Po ashtu, politikanët më të rëndësishëm, mund t’i përshtatin taktikat populiste që kanë rezultuar të suksesshme më herët. Sugjerimi me gjasë më i rëndësishëm: ata duhet të përpiqen që flasin në mënyra që kuptohen nga njerëzit e zakonshëm, pa ndonjë thjeshtëzim të tepruar, dhe pa përdorur ndonjë retorikë të ashpër apo përçarëse.

Nuk është një ekuilibër i lehtë për t’u arritur, por ia vlen të përpiqemi në mbrojtje të demokracisë. Në rastin më të keq, populistët nxisin përçarje, frikë dhe urrejtje. Ndaj kundërshtarët e tyre kanë nevojë për një mesazh po aq bindës të bazuar në optimizëm, unitet dhe gëzim

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com