A mund ta fundosë gjalpi Putinin?

Ekonomia ruse, e orientuar drejt mbështetjes së shpenzimeve për mbrojtje dhe nevojave të përditshme, po përballet me një inflacion në rritje, veçanërisht në sektorin e ushqimeve. Presidenti Vladimir Putin ka theksuar se ekonomia e vendit është në gjendje të balancojë shpenzimet për mbrojtje me nevojat themelore të qytetarëve, por situata aktuale sugjeron ndryshe.

Një nga produktet më të prekur është gjalpi, çmimi i të cilit është rritur ndjeshëm. Sipas shërbimit të statistikave të shtetit, çmimi i gjalpit ka shënuar një rritje prej 25.7% që nga dhjetori i vitit të kaluar, ndërsa markat premium si “Brest-Litovsk” tani shiten për 239.96 rubla (rreth 2,47 dollarë), duke u rritur me 34% që nga fillimi i vitit.

Kjo rritje e çmimeve po shqetëson qytetarët dhe ekonomistët. Një kanal i njohur në Telegram, MMI, e përshkruan situatën si një “Armagedon me gjalpë”, duke paralajmëruar se gjalpi mund të pësojë të njëjtin fat si vezët vitin e kaluar, kur çmimet u rritën ndjeshëm dhe alarmuan konsumatorët. Madje, ka pasur raste të vjedhjeve të gjalpit në supermarkete, dhe disa tregtarë kanë filluar të vendosin gjalpin në enë plastike për të parandaluar krimet.

Përballë këtyre sfidave, autoritetet po monitorojnë me kujdes çmimin e gjalpit. Dmitry Patrushev, zëvendës kryeministër përgjegjës për bujqësinë, ka njoftuar se qeveria do të intensifikojë importet e gjalpit për të përballuar rritjen e kërkesës. Megjithatë, çmimet e qumështit, si dhe kostot e punës, interesave, karburanteve dhe transportit po rriten gjithashtu, duke shtuar më shumë presion mbi tregun.

Këto ndryshime në ekonomi vijnë në një kohë kur Rusia po shpenzon më shumë për mbrojtje se kurrë më parë që nga Lufta e Ftohtë, ndërsa ekonomistët janë të shqetësuar për qëndrueshmërinë afatgjatë të vendit në një kontekst kaq të trazuar.

Por sa do të ndikojë rritja e çmimit të gjalpit në pakënaqësinë e popullit rus, kjo mbetet për t’u parë. Mbështetja për Vladimir Putinit në Rusi arrin shpesh mbi 80%, sipas sondazheve nga Levada Center. Megjithatë, disa analistë dyshojnë për saktësinë e këtyre sondazheve, për shkak të represionit të shtuar dhe propagandës që mund të ndalojnë rusët të shprehen lirisht.

Por ekspertët paralajmërojnë për sfida afatgjata për regjimin, sidomos nëse çmimet vazhdojnë të rriten dhe ndjesia e pakënaqësisë fillon të shfaqet mes qytetarëve të zakonshëm ose segmenteve të ushtrisë dhe elitës politike​.

/a.r

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com