Bashkimi Europian e pranon më në fund se Serbia ka shkelur marrëveshjen drejt normalizimit të marrëdhënieve.
Zëdhënësja Nabila Massralli pohoi të mërkurën se duke miratuar një projektligj për juridiksion gjyqësor serb në Kosovë, duke e shpallur atë “zonë të mbrojtjes së veçantë sociale”, Serbia e ka shkelur ujdinë.
“Projektligjet e qeverisë së Serbisë, në mënyrën si janë publikuar paraqesin shkelje të qarta nga ana e Serbisë të obligimeve nga dialogu dhe janë në kundërshtim me ripërkushtimin e shprehur rishtazi për dialogun”, tha Massralli.
BE-ja i rikujton Serbisë se ishte e detyruar t’i respektojë të gjitha marrëveshjet e dala nga dialogu me Kosovën, si pjesë e synimeve të saj për integrim evropian.
Zëdhënësia Massralli i bëri thirrje Serbisë të rishqyrtojë këtë projektligj i cili kërkon themelimin e një prokurorie speciale dhe një trupi gjykues special për t’i ndjekur penalisht të gjithë ata që marrin pjesë në persekutimin e popullatës serbe”, në Kosovë, raporton A2.
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, e akuzoi të martën Serbinë për shkeljen e marrëveshjeve dhe shkeljen esovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës.
Bislimi, i cili është dhe kryenegociator në dialog, tha se Serbia “bën do përpiekje për ta bllokuar” normalizimin e marrëdhënieve fqinjësore.
Po ashtu kryeministri Kurti i cilësoi masat një akt armiqësor dhe agresioni nga ana e Beogradit. Autoritetet në Serbi këmbëngulin se synimi i tyre është të mbrojë dhe forcojë qytetarët serbë në Kosovë.