Erdogan: Konfirmuam natyrën e palëkundur të miqësisë Turqi – Shqipëri! Miku im i dashur Rama…

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan deklaroi se gjatë vizitës së tij në Shqipëri ishte konfirmuar “natyra e palëkundur e miqësisë” midis dy vendeve.

Pas vizitave të tij zyrtare në Shqipëri dhe Serbi të enjten dhe të premten, presidenti Erdogan foli për gazetarët dhe iu përgjigj pyetjeve në aeroplan gjatë kthimit për në Turqi.

Duke theksuar se vizita dyditore ishte jashtëzakonisht produktive dhe e suksesshme, Erdogan deklaroi se po kërkojnë mënyra për të forcuar më tej marrëdhëniet tashmë të mira së bashku me homologët.

Ai tha se kanë shkëmbyer ide për zhvillimet e fundit në Ballkan dhe çështjet globale, veçanërisht për territoret e pushtuara palestineze dhe mizoritë izraelite në Gaza.

“Ne u përcollëm vëllezërve tanë në Shqipëri, që ishte ndalesa e parë e vizitës, përshëndetjet e kombit tonë të dashur dhe të afërmve të tyre në Turqi. Patëm konsultime të gjera me mikun tim të dashur, kryeministrin Edi Rama, me rastin e takimit të dytë të Këshillit tonë të Nivelit të Lartë të Bashkëpunimit”, tha ai.

”Krahas deklaratës së përbashkët, me dokumentet që nënshkruam në fushën e arsimit të lartë, bujqësisë, marrëdhënieve me publikun dhe medias, konfirmuam natyrën e palëkundur të miqësisë Turqi-Shqipëri. Gjatë takimeve tona, theksuam vendosmërinë për të luftuar bashkërisht kundër organizatave terroriste, veçanërisht FETO-s. Në kuadër të vizitës sime, ne vlerësuam marrëdhëniet tona në fushën politike dhe ushtarake me presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj”, shtoi ai.

”Së bashku me mikun tim të dashur, kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, bëmë hapjen e Xhamisë së Namazgjasë, më e madhja në Ballkan, e ndërtuar nga Kryesia e Çështjeve Fetare dhe Fondacioni i Dijanetit”, tha Erdogan.

Ai deklaroi se Xhamia e Namazgjasë do të ofrojë mundësi shtesë për myslimanët e vendit për të kryer namazin e tyre si dhe do të funksionojë si qendër kulturore.

“Unë falënderoj sërish secilin, të gjitha institucionet tona, që kontribuuan në hapjen e xhamisë, e cila është një vepër simbolike në çdo aspekt me arkitekturën, vendndodhjen, kapacitetin për 8 000 njerëz dhe ndërtimet shtesë”, tha Erdogan.
Presidenti turk deklaroi se me rastin e vizitës ka pasur rastin të diskutojë në detaje çështjet që lidhen me industrinë e mbrojtjes me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.

Ai tha se kanë pasur mundësinë të bëjnë një hap së bashku në fushën e industrisë së mbrojtjes.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com