“Po kërkohet destabilitet nga opozita”, deputeti i PS: Ja si do të reagojmë në rast trazirash

“Ne kemi parë dy seancat e fundit në Kuvend se çfarë demonstrimi kishim nga deputetët e opozitës. Nuk besoj se ky është një shembull demokracie dhe prandaj kjo të bën të mendosh që po kërkohet një situatë në dukje instabiliteti. Fatkeqësisht, kjo vjen fiks një javë para mbajtjes së konferencës ndërqeveritare”.

Kështu është shprehur i ftuar në emisionin “Off the Record” në A2 CNN me gazetarin Andrea Danglli, deputeti i Partisë Socialiste, Etjen Xhafaj, teksa foli për aksionin e opozitës dhe protestën e parashikuar të mbahet ditën e hënë, më 7 tetor.

Ai theksoi se opozita në Shqipëri kërkon vetëm kthimin e pushtetit, jo zgjidhjen e problemeve. “Edhe në Perëndim, protestat e dhunshme që synojnë kthimin e pushtetit, kanë një diferencë shumë të madhe nga institucioni i protestave. Opozita ka gjithmonë arsye për të protestuar, veçanërisht kjo e jona që për çdo gjë kërkon rrëzimin e qeverisë. Nuk është as hera e parë dhe as hera e 100 që e kemi dëgjuar në 10 vitet e fundit. Nga mbetjet kimike, inflacioni, intervista me gazetarin e Rai 3, gjithmonë është kërkuar i njëjti rezultat. Protesta si institucion është e popullit, jo e opozitës.

Gjithmonë në Shqipëri është kthimi i pushtetit, jo zgjidhja e problemit. Këtu kërkohet vetëm pushteti. Nga ana e qeverisë synohet zgjidhja e këtij problemi”, tha Xhafaj.

I pyetur se si do të jetë përgjigja nga qeveria në rast të trazirave, ai u shpreh: “Ne do t’i përgjigjemi brenda kufijve të ligjit, duke mos u sjell në asnjë rast si ata. Uroj shumë që qytetarët ta kuptojnë këtë. Mazhoranca nuk ka në asnjë rast qëllim që të kthejë shtetin kundër qytetarëve. Përkundrazi në këto vite jemi munduar të bëjmë maksimumin e mundshëm në favorin e qytetarëve”, tha Xhafaj në “Off the Record”.

Ndërkohë, deputeti i PS tha se “dora e mazhorancën ka qenë dhe mbetet e shtrirë për opozitën për sa hapësirë lë logjika dhe lirshmëria”.

/a.r

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com