Moti i keq shton rrezikun për aksidente, Policia apel drejtuesve dhe këmbësorëve për kujdes

Policia e Shtetit ka apeluar të gjithë drejtuesit e mjeteve dhe këmbësorëve që të bëjnë kujdes në rrugë gjatë lëvizjes për shkak të kushteve të këqija të motit të cilat rrisin rrezikun për aksidente.

“Apel për më shumë kujdes! Nisur nga moti i keq me reshje të dendura shiu, Policia e Shtetit apelon për drejtuesit e automjeteve motomjeteve  dhe biçikletave, por edhe gjatë lëvizjes si këmbësorë duke kaluar nga njëri kah i rrugës në tjetrin, të tregojnë kujdes të shtuar, duke respektuar me rigorozitet rregullat e qarkullimit rrugor, pasi rreziku për t’u përfshirë në aksidente rrugore është i madh”, njofton policia.

Në një njoftim të shpërndarë për mediat, policia evidenton prezencën e ujit dhe të inerteve në disa akse dhe u bën apel përdoruesve që të rrisin vigjilencën.

“Si pasojë e reshjeve të dendura dhe erës së fortë, në disa akse rrugore ka prezencë të ujit dhe inerteve në rrugë , dhe për këto arsye përdoruesit e rrugës duhet të rrisin vigjilencën sidomos kur janë duke drejtuar automjetet apo motomjetet në kushtet e errësirës ku pamja është e kufizuar”.

Për parandalimin e aksidenteve rrugore , strukturat e Policisë Rrugore kanë rritur prezencën në të gjithë vendin dhe po përdorin mjetet inteligjente për të parandaluar, konstatuar dhe ndëshkuar shkelësit e rregullave të qarkullimit rrugor, të cilët janë burim rreziku për përfshirje në ngjarje rrugore.

“Policia Rrugore apelon për modelim të shpejtësisë , mos përdorim të aparatit celular  dhe për mos kryerje të parakalimeve të gabuara . Përdoruesit e rrugës, në rast nevoje, të telefonojnë në numrin pa pagesë 112 dhe shërbimet e Policisë do t’ju vijnë në ndihmë menjëherë”, njofton Policia.

/a.r

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com