Varrim sekret për liderin e Hezobllahut. Khamenei: Kombet myslimane kanë një armik të përbashkët

Veprimi i forcave të armatosura të Iranit kundër Izraelit, ishin të plotësisht legjitime dhe të ligjshme. Kështu ka theksuar Lideri supreme i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei në një fjalim të rrallë në lutjet e së premtes, ditë në të cilën mbahen edhe homazhet për ish-kreun e Hezbollah, Hassan Nasrallah, shkruan A2 CNN. Pranë vetes, lideri supreme mbante edhe një armë.

“Veprimi brilant i forcave tona të armatosura disa net më parë ishte plotësisht i ligjshëm dhe legjitim. Nëse është e nevojshme, në të ardhmen, ne do të godasim përsëri Izraelin. Izraeli nuk mund të dëmtojë seriozisht Hezbollahun dhe Hamasin. Politika e armikut është përça dhe sundo. Ata i kanë zbatuar këto politika në mënyra të ndryshme në vendet myslimane, por sot kombet janë zgjuar; sot është dita që mund ta kapërceni këtë mashtrim të armiqve të Islamit dhe të myslimanëve. Politika e Kuranit për myslimanët është që qeveritë islame duhet të solidarizohen me njëra-tjetrën”, tha Ajatollahu.

Ai u bëri thirrje grupeve të rezistencës, përfshirë libanezët dhe palestinezët, të rezistojnë dhe të forcojnë unitetin e tyre kundër “ujkut gjakatar”, Izraelit. Më pas ai siguroi se boshti i Rezistencës “nuk do të tërhiqet, ne duhet të vazhdojmë derisa të eliminohet ekzistenca e turpshme e sionistëve”. “Durimi strategjik ka mbaruar. Kombet myslimane kanë një “armik të përbashkët” dhe duhet të “ngjeshin një brez mbrojtës” nga Afganistani në Jemen dhe nga Irani në Gaza dhe Liban”, tha ai.

Sakaq, një burim i afërt me Hezbollahun i tha AFP se lideri i vrarë, Hassan Nasrallah, u varros “përkohësisht” në një vend sekret. Hera e fundit që Khamenei drejtoi lutjet e së premtes ishte gati pesë vjet më parë për të përkujtuar vdekjen e Qasem Soleimani, komandantit të Gardës Revolucionare Islamike të Iranit, i cili u vra nga SHBA në një sulm ajror në Aeroportin Ndërkombëtar të Bagdadit.

Ndërkohë Presidenti Amerikan, Joe Biden shpreson se nuk do të ketë një luftë të plotë midis Izraelit dhe Iranit. “Mendoj se mund ta shmangim. Por ka shumë, shumë për të bërë ende. Shumë për të bërë ende”, tha Biden.

/a.r

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com