Një sasi e madhe e të dhënave që rrodhën nga një fushatë dezinformuese e Rusisë kanë vënë në pah se si Moska synonte t’i njolloste Ukrainën dhe qeveritë perëndimore që e mbështesin atë, derisa, njëkohësisht, u përpoq ta rriste përkrahjen për partitë politike të ekstremit të djathtë në Bashkimin Evropian.
Dokumentet – që u siguruan nga një konsorcium i mediave evropiane dhe u ndanë me ekipin hulumtues të Shërbimit ukrainas të Radios Evropa e Lirë, Skemat – zbulojnë operacionet e brendshme të Agjencisë për Dizajn Social, një kompani me bazë në Moskë për të cilën Shtetet e Bashkuara thonë se e udhëhoqi fushatën propaganduese me urdhër të Kremlinit.
Fushata përfshinte një përzierje të shumëllojshme të memeve (shakave), videove të falsifikuara dhe dokumenteve qeveritare, si dhe një rrjet faqesh online të maskuara si portale të mirëfillta lajmesh nëpër Evropë, për të shpërndarë lajme të rrejshme me qëllim që ta minonin mbështetjen e Perëndimit për Ukrainën, pasi Rusia e nisi pushtimin e plotë të saj në shkurt 2022.
Të dhënat tregojnë se një meme që denigron presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky, e cila u shpërnda në X nga pronari i këtij rrjeti social, miliarderi Elon Musk, dhe pastaj u rishpërnda 86.000 herë, ishte krijim i Agjencisë për Dizajn Social.
Të dhënat që rrodhën, disa prej të cilave u bënë publike këtë muaj si pjesë e një aktakuze amerikane, u siguruan së pari nga mediat gjermane si Sueddeutsche Zeitung, NDR dhe WDR, të cilat i ndanë ato me Skemat dhe me disa organizata të tjera mediatike. Ato u zbuluan nga një burim anonim, i cili tha për gazetarë se Agjencia për Dizajn Social ishte hakuar.
Agjencia për Dizajn Social drejtohet nga Ilya Gambashidze, i cili u godit me sanksione në mars nga Shtetet e Bashkuara së bashku me kompaninë dhe bashkëpunëtorët e tij, për shkak të operacionit të ndikimit të kompanisë, të quajtur Doppelganger.
Gambashidze nuk iu përgjigj kërkesave për koment para publikimit të këtij artikulli.
Autoritetet amerikane, të cilat kapën 32 domene interneti të lidhura me Doppelganger në fillim të këtij muaji, thanë se përpjekja u mbikëqyr nga Sergei Kiriyenko, një zyrtar i lartë i Kremlinit dhe i besuari i presidentit Vladimir Putin.
Në një video prezantim të përfshirë në dokumentet që rrodhën, Gambashidze i drejtohet kamerës i veshur me një kapele të zbukuruar me mbishkrimin “trupat ideologjike ruse” dhe “komandant i forcave speciale”.
Sipas videos së prezantuar, ekipi i Gambashidzes i kishte prodhuar 39.899 copëza përmbajtjeje mes janarit dhe prillit 2024, përfshirë më shumë se 30.000 postime, më shumë se 4.600 video dhe vidoe meme, dhe rreth 1.500 artikuj.
Në mesin e tyre edhe një shkrim i rrejshëm i sajuar për t’u dukur sikur është publikuar nga gazeta gjermane Bild, ku pretendohej se refugjatët ukrainas në Gjermania, në përpjekje për ta djegur një flamur rus, ia kishin vënë flakën një shtëpie të gjermanëve, e cila u ishte dhënë atyre për strehim.
Gjeneralkoloneli Oleksandr Syrskiy u emërua oficeri më i lartë ushtarak i Ukrainës në fillim të këtij viti.
Gjeneralkoloneli Oleksandr Syrskiy u emërua oficeri më i lartë ushtarak i Ukrainës në fillim të këtij viti.
Operacioni i ndikimit, zbuloi Schemes, prodhoi gjithashtu dokumente të falsifikuara të qeverisë ukrainase, duke përfshirë një urdhër të sajuar që gjoja ishte lëshuar nga komandanti i lartë ushtarak i vendit, gjeneralkoloneli Oleksandr Syrskiy, duke e barazuar me tradhti dorëzimin nga personeli ushtarak ukrainas.
Qëllimi i falsifikimit, sipas të dhënave që rrodhën, ishte “diskreditimi i udhëheqjes ushtarako-politike të Ukrainës dhe demoralizimi i forcave të armatosura”.
Në shënjestër të këtij operacioni ishte edhe peizazhin politik i Evropës, përfshirë zgjedhjet për Parlamentin Evropian, të mbajtura në qershor 2024. Qëllimi ishte të ndihmoheshin partitë e ekstremit të djathtë të cilat do ta promovonin narrativat proruse, tregojnë të dhënat e zbuluara.
Një dokument sugjeron “kryerjen e një kundërfushate komplekse kundër globalistëve liberalë, platformës së tyre dhe përfaqësuesve të rëndësishëm”, duke përfshirë presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, me Gjermaninë, Francën, Spanjën, Italinë dhe Poloninë që ishin në fokusin kryesor.
Plani përfshinte përpjekje për t’i përshkruar “liberalët dhe globalistët” si frikacakë, duke përfshirë edhe një sulm të mundshëm rus ndaj BE-së: për ta portretizuar mbështetjen për të drejtat e komunitetit LGBT si të dëmshme për shëndetin mendor të fëmijëve; për të nxitur pakënaqësi për inflacionin e lartë dhe papunësinë; dhe për t’i akuzuar “globalistët e BE-së” se po përpiqen ta transformojnë Evropën në një “kamp ushtarak totalitar…si Ukraina”.
Një dokument që detajon strategjinë e Agjencisë për Dizajn Social për të ndikuar në zgjedhjet evropiane, duke përfshirë rritjen e mbështetjes për partitë e ekstremit të djathtë
Një dokument që detajon strategjinë e Agjencisë për Dizajn Social për të ndikuar në zgjedhjet evropiane, duke përfshirë rritjen e mbështetjes për partitë e ekstremit të djathtë
Të dhënat tregojnë, gjithashtu, se operacioni i ndikimit synoi të rriste pasurinë elektorale të partisë së ekstremit të djathtë të Gjermanisë, Alternativa për Gjermaninë, dhe të asaj të Tubimit Kombëtar në Francë.
Ndër synimet ishte t’i bënte më shumë se gjysmën e qytetarëve gjermanë “të pavullnetshëm për të sakrifikuar mirëqenien e tyre për hir të mposhtjes së Rusisë” dhe për të promovuar narrativin se Shtetet e Bashkuara po e përdorin Gjermaninë në një luftë ekonomike dhe hibride kundër Rusisë.
Operacioni i bombardoi edhe institucionet shtetërore dhe mediat ukrainase me komente përmes një rrjeti online, i cili i prodhoi gati 34 milionë komente mes janarit dhe prillit 2024, sipas një dokumenti të brendshëm./ REL