SPAK-u e akuzon për korrupsion, Berisha zbulon këngëtarin e famshëm që solli biznesmeni në Shqipëri: E falenderoj Fatmir Bektashin, pagoi 4500 euro

Ish-kryeministri Sali Berisha akuzohet nga SPAK se është korruptuar nga biznesmeni Fatmir Bektashi, i cili në dosjen “Partizani” akuzohet gjithashtu se ka pastruar miliona euro të dhëndrit të Berishës, Jamarbër Malltezi me ndërtimin e disa pallateve në tokën e ish-kompleksit sportiv.

Një ndër episodet që SPAK përmend është edhe pagesa që Bektashi ka bërë pë mbërritjen në Shqipëri të një këngëtari të njohur italian.

Berisha zbuloi gjatë protestës nga shtëpia e tij, se bëhet fjalë për këngëtarin Riccardo Cocciante.

Berisha tha se Bektashi i ka paguar udhëtimin dhe qëndrimin dy ditë në Shqipëri, teksa Cocciante është dekoruar gjatë vizitës së tij nga presidenti i Republikës në atë kohë.

Sipas Berishës, ai nuk kishte dijeni për sponsorizimin, madje ai e falënderoi publikisht biznesmenin Fatmir Bektashi.

“Shqiptarët duhet ta dinë se këta anëtarë të organizatës kriminale të Skapit kanë akuzuar për korrupsion me Sali Berishën, Fatmir Bektashin sepse ky biznesmen i nderuar, që ka ndërtuar në të gjithë Tiranën gjithë jetën e tij, dhe që tani ka ndërtuar në tokën e tij, paska sponsorizuar në vitin 2013 një udhëtim të Elhaida Danit dhe Rikardo Koçantes, kur ajo fitoi Voice Of Italy.

Ministria e Kulturës ftoi këngëtaren tonë, e cila korri një sukses të jashtëzakonshëm në Itali, dhe mentorin e saj që ishte arkitekt i atij suksesi, Rikardo Koçante në Shqipëri, për të nderuar me një medalje nga Presidenti i Republikës, këngëtarin e njohur italian.

Fatmir Bektashi paska sponsorizuar me 4500 euro udhëtimin dhe qëndrimin e tyre dy net në Tiranë.

Pra, ky është korrupsioni i Sali Berishës, sepse një biznesmen ka sponsorizuar jo për kryeministrinë, për Ministrinë e Kulturës, në përputhje me të gjitha rregullat, me deklarime dhe çdo gjë, ardhjen e njërit prej personaliteteve më të njohura të këngës dhe muzikës italiane”, tha Sali Berisha.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com