SHBA-Britania e Madhe: Irani po furnizon Rusinë me raketa balistike, kërcënim për gjithë Europën

Gjatë vizitës në Mbretërinë e Bashkuar, sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken zbuloi se Rusia është furnizuar me raketa balistike nga Irani pasi personeli ushtarak rus ishte trajnuar se si t’i përdorte ato në Iran.

“Irani ka dërguar raketa balistike me rreze të shkurtër veprimi në Rusi dhe Kremlini ka gjasa t’i përdorë ato brenda javësh në Ukrainë”, tha Sekretari Amerikan i Shtetit.

Në konferencën e përbashkët me homologun e tij britanik, David Lammy, Blinken tha se ky zhvillim ishte “një kërcënim për të gjithë Evropën” dhe tregoi se si “ndikimi destabilizues i Iranit arrin shumë përtej Lindjes së Mesme”.

Dhjetëra pjesëtarë të personelit ushtarak të Rusisë janë trajnuar në Iran për të përdorur sistemin e raketave balistike me rreze të afërt Fath-360, i cili ka një rreze maksimale prej 75 miljesh. Rusia tani ka marrë dërgesa të këtyre raketave balistike dhe ka të ngjarë t’i përdorë ato brenda javësh në Ukrainë kundër ukrainasve. Rusia ka vetë një sërë raketash balistike por furnizimi me raketa iraniane i mundëson Rusisë të përdorë më shumë nga arsenali i saj për objektivat që janë më larg vijës së frontit”, u shpreh Blinken.

Nga ana e tij, Sekretari i Jashtëm britanik, David Lammy tha se furnizimi me raketa balistike i Rusisë nga Irani është “padyshim një përshkallëzim i rëndësishëm”.

Megjithatë, i pyetur nëse ai do të miratonte përdorimin e raketave me rreze të gjatë “Storm Shadoë” për Ukrainën për të goditur objektivat brenda Rusisë, Lammy tha se nuk do të komentonte mbi “çështjet operacionale”.

SHBA do të shpallë sanksione të mëtejshme ndaj Iranit më vonë sot, njoftoi Blinken, duke përfshirë masa të mëtejshme kundër Iran Air. Ai tha se edhe vendet e tjera pritet të shpallin sanksione të reja.

Megjithatë, shefi i shtabit të presidentit ukrainas tha se vendosja e sanksioneve ndaj Iranit për furnizimin e Moskës me raketa balistike nuk ishte e mjaftueshme dhe aleatët duhet të lejojnë Kievin të kryejë sulme thellë në Rusi duke përdorur armë perëndimore.

“Ne gjithashtu kemi nevojë për leje për të përdorur armë perëndimore kundër objektivave ushtarake në territorin e Federatës Ruse, dërgimin e raketave me rreze më të gjatë veprimi dhe forcimin e mbrojtjes sonë ajrore”, tha zyrtari, Andriy Yermak, në Telegram.

Lammy dhe Blinken zbuluan se do të udhëtojnë së bashku në Kiev këtë javë, për të cilën Lammy tha se është “vizita e parë e përbashkët e këtij lloji për më shumë se një dekadë”.

/a.r

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com