MEPJ nxjerr për konsultim pr/ligjin “Për Shërbimin e Jashtëm në Republikën e Shqipërisë”

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka nxjerrë për konsultim publik projektligjin “Për Shërbimin e Jashtëm në Republikën e Shqipërisë”.

Në relacionin shoqëruas të pr/ligjit thuhet se qëllimi i ndryshimeve ligjore është rregullimi i veprimtarisë së Shërbimit të Jashtëm të Republikës së Shqipërisë.

Përgatitja e projektligji “Për shërbimin e Jashtëm në Republikën e Shqipërisë” erdhi si një domosdoshmëri për rregullimin e disa problematikave të hasura nga aplikimi i ligjit aktual për shërbimin e jashtëm, rregullimi i të cilave do i shërbejë një shërbim të jashtëm modern, i cili duhet ti përgjigjet detyrave të ngarkuara nga Kushtetuta dhe nga programet e qeverive.

Projektligji rregullon në mënyrë më të qartë procesin e emërimit dhe mbarimit të mandatit të kreut të misionit diplomatik dhe postit konsullor si dhe personelit diplomatik e konsullor. Sipas parashikimeve ligjore, Ambasadorët e Shqipërisë nuk do të kenë më mandat 3 vjeçar, por do të qëndrojnë në krye të misioneve diplomatike për 4 vite. Po ashtu, parashikohet që kreu i misionit diplomatik nuk mund të ushtrojë më shumë se dy mandate të njëpasnjëshëm në misione diplomatike dhe poste konsullore.

Projektligji forcon kriteret profesionale për rekrutimin e diplomatëve të karrierës, duke u mbështetur në nivelet e tyre akademike.

Për herë të parë futet si koncept ligjor krijimi i strukturës së Akademisë Diplomatike, e cila do të jetë jo vetëm në shërbim të përmirësimit profesional të diplomatëve, por edhe si një strukturë që në bashkëpunim me struktura të ngjashme homologe, do të ofrojë kurse trajnimi në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare.

Projektligji përcakton në mënyrë më të qartë përfshirjen në misionet diplomatike dhe postet konsullore të personave jashtë karrierës diplomatike, si dhe dhënien e mundësisë që në përputhje me kriteret për pranimin në shërbimin civil të bëhen pjesë e shërbimit të jashtëm.

Afati i konsultimit të projektimit të pr/ligjit është 20 ditë pune, duke filluar nga data 2 gusht 2024, deri më 30 gusht 2024.

/a.r

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com