Vatrat e zjarreve në vend / Në 10 vite mbi 220 procedime, të dënuar vetëm 3 piromanë

Policia e Tiranës prangosi një 28-vjeçar, pasi akuzohet se preu pemët dhe më pas i vuri zjarrin pyllit, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale.

Aksioni u krye nga Komisariati nr. 4 në kryeqytet, ndërsa ngjarja njoftohet se ka ndodhur në territorin e fshatit Kutreq të njësisë Zall-Bastar.

I ndaluari është një 28-vjeçar për veprat penale “prerja e paligjshme e pyjeve” dhe “shkatërrimi me zjarr i pyjeve dhe i mjedisit pyjor”.

Të dhënat e Prokurorisë së Përgjithshme bëjnë të ditur, se në 10 vitet e fundit janë regjistruar 225 procedime për shkatërrimin e pyjeve me zjarr.

Nga këto: 76 persona janë proceduar penalisht për shkatërrimin e pyjeve me zjarr, nga pakujdesia, ku të dënuar kanë përfunduar vetëm 3 persona.

Vitin e shkuar u regjistruan 12 procedime penale për “shkatërrim nga pakujdesia me zjarr i pyjeve” ndërsa 14 pocedime penale për “shkatërrim me zjarr i pyjeve”, ku u gjykuan dy persona.

Shkatërrimi apo dëmtimi nga pakujdesia, me pasoja të rënda materiale, i fondit pyjor, i fidanishtes pyjore, i grumbullit pyjor ose i çdo njësie të ngjashme me to, me zjarr, dënohet me burgim nga dy deri në pesë vjet.

Po kjo vepër, kur ka shkaktuar pasoja të rënda për pronën, shëndetin ose jetën e njerëzve apo shkakton dëme të rënda dhe të zgjatura në kohë ndaj mjedisit apo zonave të mbrojtura, dënohet me burgim nga  tre deri në tetë vjet.

Ndërsa shkatërrimi apo dëmtimi me dashje, me pasoja të rënda materiale, i fondit pyjor, i fidanishtes pyjore, i grumbullit pyjor ose i çdo njësie të ngjashme me to, me zjarr, dënohet me burgim nga pesë deri në tetë vjet.

Po kjo vepër, e kryer me qëllim ndryshimin e kategorisë dhe destinacionit të tokës, dënohet me burgim nga pesë deri në pesëmbëdhjetë vjet.

Po kjo vepër, kur ka shkaktuar pasoja të rënda për pronën, shëndetin ose jetën e njerëzve apo shkakton dëme të rënda dhe të zgjatura në kohë ndaj mjedisit apo zonave të mbrojtura, dënohet me burgim nga dhjetë deri në njëzet vjet.

/a.r

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com