Vrasja në një azil privat për të moshuarit në Tiranë, është një ngjarje tepër e rëndë sipas ekspertit për çështjet e sigurisë Fatjon Softa. Në një lidhje Skype për RTSH 24, duke iu referuar vrasjes së 82-vjeçarit nga shoku i dhomës 78-vjeçari Zyhdi Shehi, Softa deklaroi se ngjarja u thellua edhe më tepër pas fshehjes së saj nga infermieret.
Sipas ekspertit, infermieret duhej fillimisht të njoftonin ambulancën për të konstatuar gjendjen e 82-vjeçarit, dhe jo të “shpallnin vetë vdekjen e tij”.
“Këto janë tre kategori sociale që shtetit duhet ti ketë në qendër të vëmendjes dhe format ndëshkuese duhet të jenë tepër të rrepta.
Të dy këta persona që jetonin në një dhomë, dy infermiere e fshehën ngjarjen. Ato e fshehën ngjarjen sikur e kanë bërë vetë, imagjino çfarë fataliteti e çfarë papërgjegjshmërie kanë.
Ky institucion paguhet gati 25 euro dita dhe shërbimet duhet të jenë të përgjegjshme dhe profesionale. Kur ndodhi kjo ngjarje, infermieret minimalisht duhet të kishin njoftuar shërbimin e ambulancës.
Sepse ku e di ajo që personi ka ndërruar jetë? Mund të jetë një vdekje klinike. Vjen eksperti dhe përcakton vdekjen. Pastaj shkaqet e vdekjes.
Kur është rasti që ka pasur dëmtime. S’mund ta mbyllësh si ngjarje dhe ta çosh në një agjenci për ta kryer këtë lloj procedure. Këta persona janë të licensuar”, tha ai.
Softa theksoi se, nëse kërkohen nga familjarët, pamjet filmike duhet t’u vihen në dispozicion. Sipas tij, në një institucion, monitorimi i brendshëm është ligjor.
“Nëse do kërkojnë të afërmit dhe prokuroria, pamjet filmike duhen vënë në dispozicion. Por jo çdo njeri mund të kontrollojë me kamera çfarë ndodh me familjarin e tij.
Në një institucion privat, monitorimi i brendshëm është monitorim ligjor, sepse mund të ketë keqtrajtim, dhënie ilaçesh të gabuara, mund të ketë hedhje nga ndërtesa për shkak të depresionit. Masat e sigurisë ndaj subjekteve të tilla duhet të jenë në kontroll. Duhet monitorim gjatë gjithë kohës për këto institucione, për rrethimin, ndriçimin, higjiena, kushtet, siguria, etj,.
Familjarët mundet të kërkojnë edhe dëmshpërblim për pasojat që i kanë ardhur familjarit të tyre në këtë qendër për të cilën ai ka paguar. Përveç anës penale, familjarët mund të kërkojnë edhe dëmshpërblim monetar për humbjen e familjarit të tyre në këtë qendër”, theksoi ai.
/a.r