Shqipëria vijon të mbetet një nga furnizuesit kryesorë të marijuanës së papërpunuar për Greqinë, ndonëse gjatë vitit 2023 shifrat kanë ardhur në rënie, thuhet në një raport të policisë së antidrogës greke.
Sipas raportit 18.11% e kanabisit së papërpunuar u identifikua me origjinë nga Shqipëria, ndërsa për 72% nuk dihet origjina. “Ka një numër të konsiderueshëm rastesh ku origjina e marijuanës nuk ishte përcaktuar qartë dhe dyshohet se ka qenë kryesisht në Shqipëria, pasi konfiskimet u zhvilluan në zona afër kufirit greko-shqiptar”, thuhet në raportin e antidrogës greke.
Shifra e kanabisit nga Shqipëria thuhet në raport shënon një rënie të konsideueshme nga viti 2022 kur rreth 40% e kanabisit të sekuestruar ishte nga Shqipëria. Sipas raportit rreth 25% e anëtarëve të grupeve të krimit të organizuar të trafikut të kanabisit ishin shtetas shqiptarë dhe rreth 63% ishin grekë.
Vlera e përllogaritur nëse sasitë e marijuanës do të përfundonin në tregun kriminal sipas antidrogës greke për vitin 2023 ishte mbi 145 milionë euro.
Raporti i antidrogës greke thotë se numri i personave të akuzuar për aktivitete në fushën e drogës në vitin 2023 në Greqi ishte 15.941 persona, ku të akuzuarit në 73.22% ishin shtetas grekë dhe 23.98% ishin të huaj, e më shumë përkatësisht shtetasit e Shqipërisë 7,96%, Pakistani 2,35%, Afganistani 1,91%.
/a.r