Vrasja në azilin e të moshuarve në Kavajë, arrestohen dy infermiere, zbulohen detaje të reja

2 infermiere të azilit ku ndodhi vrasja makabre e mëngjesit të kësaj të enjte janë vënë në pranga nga Sektori për Hetimin e Krimeve. Gazetari i Klan News, Besar Bajraktaraj raporton se ndalimi i tyre është bërë për shkak se 2 infermieret nuk kishin kallëzuar ngjarjen në polici, por kanë telefonuar një agjenci funerale.

Sipas të njëjtave burime, infermieret kanë thënë para uniformave blu se nuk e kanë kuptuar që Zyhdi Shehi kishte vrarë Virxhil Veshon, por sipas tyre, kanë menduar se ky i fundit është rrëzuar dhe si pasojë ka ndërruar jetë.

Sjellim në vëmendje se mëngjesin e sotëm, 78-vjeçari Zyhdi Shehi e goditi disa herë me një bastun hekuri Virxhil Veshon, 82 vjeç, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.

Ngjarja ndodhi rreth orës 4:00 të mëngjesit në një shtëpi private të moshuarish në zonën e Ali Demit në Tiranë. Burime nga grupi i hetuesve thanë se debati ka qenë banal. Autori e ka akuzuar viktimën se kishte shkuar pa leje në dhomën e tij dhe se i kishte zënë krevatin edhe pse dhomat janë dyshe.

Sipas të njëjtave burime, të dy të moshuarit vuanin nga demenca dhe parkinsoni. Policia shkoi në vendin e ngjarjes dhe ka marrë dëshmitë e punonjësve dhe drejtuesve të azilit si dhe të të moshuarve të tjerë. 78-vjeçari, Zyhdi Shehi është vënë në pranga i akuzuar për vrasje me dashje.

/a.r

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com