PD kërkoi seancë urgjente për Xhaçkën, Kuvendi mblidhet në 27 gusht, zbardhet urdhri i Spiropalit

Një ditë pasi Partia Demokratike kërkoi mbledhjen urgjente të Kuvendit në një seancë të jashtëzakonshme lidhur me vendimin e Gjykatës Kushtetueses për mandatin e Olta Xhaçkës, Kuvendi njofton se do të mblidhet në datën 27 gusht.

Mbledhja e Këshillit të Legjislacionit ku do të shqyrtohet kërkesa e grupit parlamentar demokrat që është firmosur nga 29 deputetë, do të zhvillohet në orën 11:00.

Deputetët e PD-së në kërkesën e tyre shpreheshin se Kuvendi ka krijuar terrenin për krizë kushtetuese duke mos i hequr mandatin ish-ministres së Jashtme.

Është e papranueshme mbrojtja politike dhe pengimi ndaj drejtësisë që mazhoranca po bën për rastin e ish-ministres dhe deputetes Olta Xhaçka, duke injoruar Kushtetutën dhe duke penguar zbatimin e dy vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Për shkak të krizës kushtetuese të krijuar nga ana e Kuvendit, cenimit të themeleve të shtetit demokratik që ka vënë në diskutim edhe vetë rolin dhe funksionin e Gjykatës Kushtetuese, por edhe zvarritjes së tejzgjatur prej më shumë se 2 viteve të kësaj çështjeje, që ka shkaktuar vonesa që e çojnë shqyrtimin në limitet kohore të mundësisë për vlerësim nga Gjykata Kushtetuese, në deklaratën publike të datës 10 Korrik 2024 të Kryetares së Gjykatës Kushtetuese, por edhe në paragrafin 65 të vendimit nr. 55/2024 të Gjykatës Kushtetuese, kërkohet shqyrtimi i menjëhershëm dhe me përparësi i kësaj çështje nga Kuvend”, nënvizojnë ligjvënësit opozitarë.

PD kërkoi seancë të jashtëzakonshme për

Pas njoftimit të Kuvendit për datën e mbledhjes ka reaguar kreu i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi, i cili shprehet se kryetarja e Kuvendit ka miratuar një urdhër antikushtetues.

“Kryetarja e Kuvendit ka detyrimin kushtetues dhe ligjor të thërrasë sesionin e jashtëzakonshëm të Kuvendit breda 3 ditëve nga paraqitja e kërkesës së 1/5 së deputetëve, për të zbatuar pa vonesa vendimin e Gjykatës Kushtetuese.  Mbledhje e Këshillit të Legjislacionit, përveçse zvarritje e panevojshme e procedurës për heqjen e mandatit të Olta Xhaçkës, është konsideruar edhe një procedurë antikushtetuese nga Gjykata Kushtetuese. Në paragrafin 61 të vendimit nr. 55/2024 të Gjykatës Kushtetuese theksohet se: “Gjykata vlerëson se Kuvendi nuk ka vepruar në përputhje me Kushtetutën për sa kohë çështjen e ekzekutimit të vendimit të saj ia ka nënshtruar vlerësimit të Këshillit për Legjislacionin dhe Këshillit për Mandatet, struktura në të cilat shumica parlamentare ka vënë në dyshim fuqinë detyruese të vendimit të Gjykatës, ka thirrur ekspert të jashtëm dhe, më pas, ka vlerësuar se çështja duhet t’i përcillet për votim seancës plenare”.  Zvarritja 2 vjeçare e kësaj çështje, mos zbatimi i dy vendimeve të Gjykatës Kushtetuese është mbrojtje politike nga drejtësia të një deputeti të mazhorancës, bashkëpunëtore e ngushtë e Edi Ramës. Është e papranueshme mbrojtja politike dhe pengimi ndaj drejtësisë që mazhoranca po bën për rastin e ish-ministres dhe deputetes Olta Xhaçka, duke injoruar Kushtetutën dhe duke penguar zbatimin e dy vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.  Dënojmë me forcë standartin “një drejtësi për Edi Ramën dhe një drejtësi tjetër për gjithë të tjerët”.  Në çdo vend demokratik zbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese është i detyrueshëm dhe themeli mbi të cilin ngrihet një shtet ligjor.”

/a.r

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com