Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike, përmes Mocionit të 1/10 së deputetëve të Kuvendit, ka kërkuar të enjten zyrtarisht që Kuvendi të nisë procedurën parlamentare për konstatimin e papajtueshmërisë së mandatit të deputetit socialist Vullnet Sinaj.
“Në Mocionin e firmosur nga 14 ligjvënës opozitarë, evidentohet përmes 30 provave shoqëruese, se deputeti Sinaj ushtron mandatin në kundërshtim me pikën 3, të nenit 70 të Kushtetutës, që i ndalojnë deputetit që të përfitojë fonde nga Buxheti i Shtetit apo pasuri të shtetit”, njofton PD.
Sipas njoftimit të grupit të PD, “nga verifikimi i të dhënave të Drejtorisë së Përgjithshme të Thesarit dhe Qendrës Kombëtare të Biznesit rezulton se deputeti i Partisë Socialiste, Vullnet Sinaj, nëpërmjet kompanive në pronësi të tij, ka përfituar të ardhura nga Buxheti i Shtetit”.
Më tej, PD shton se “pronësia mbi këto shoqëri dhe fakti që fitimet kanë shkuar si divident për vetë deputetin Vullnet Sinaj rezulton i provuar edhe nga Deklaratat Vjetore të deklarimit të pasurisë për subjektin Vullnet Sinaj”.
“Për rrjedhojë, Kuvendi i Shqipërisë, në respekt të detyrimeve që rrjedhin nga neni 70, pika 4, e Kushtetutës së Shqipërisë, dhe neni 119/1, pika 2, të Rregullores së Kuvendit, duhet të vendos për dërgimin e mocionit për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese, për të konstatuar papajtueshmërinë dhe mbarimin e mandatit të deputetit Vullnet Sinaj”, thuhet në kërkesën e 14 deputetëve.
Grupi parlamentar i Partisë Demokratike ka kërkuar nga Kryetarja e Kuvendit që të mbledhë Këshillin për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetet për shqyrtimin e mocionit të paraqitur nga subjekti kushtetues jo më pak se 1/10 e deputetëve të Kuvendit, përfshirjen në Rendin e Ditës së një prej seancave më të para të Kuvendit dhe dërgimin e çështjes në Gjykatën Kushtetuese për konstatimin e papajtueshmërisë dhe mbarimit të mandatit të deputetit Vullnet Sinaj.
Më herët ka reaguar edhe vetë deputeti i PS, Vullnet Sinaj. Ai theksoi se nga viti 2017 ka dhënë dorëheqje nga administrimi i të gjitha bizneseve të tij, duke iu përkushtuar vetëm politikës.
“Me vendimet e depozituara në QKB në vitin 2017, kam vendosur transferimin e të gjitha kuotave të kompanive, sipas ligjeve në fuqi. Nuk kam përfituar nga buxheti i shtetit asnjë lek, as kur nuk kam qenë deputet, as kur jam zgjedhur deputet”, u shpreh ai.
Për më tepër, Sinaj theksoi se dhuron prej vitesh rrogën mujore të deputetit për të ndihmuar njerëz në nevojë dhe as i shkon mendja të përfitojë financiarisht nga buxheti i shtetit.
/a.r