Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Vlorë, ku një 64-vjeçare humbi jetën si pasojë e dhunës së bashkëshortit.
Hati Deliaj u dhunua barbarisht nga i shoqi, 70-vjeçari Ëngjëllush Deliaj.
Viktima ishte shtruar mbrëmjen e djeshme në spital dhe kishte nofulla të thyera e shenja të tjera të dhunës. Pavarësisht ndihmës në spital, ajo nuk mundi t’u mbijetonte plagëve dhe humbi jetën.
Ngjarja është një tragjedi e paralajmëruar. Kjo nuk ishte hera e parë që Hati dhunohej nga bashkëshorti. Gjatë pandemisë, ajo kishte qëndruar për një muaj në një qendër rehabilitimi për gratë e dhunuara në periferi të Torinos. Por pas një periudhe të gjatë larg të shoqit dhe premtimeve se nuk do e dhunonte sërish, 64-vjeçarja i kishte dhënë një, mundësi të dytë.
Gjatë këtij viti ajo kishte vuajtur nga probleme me mushkëritë dhe kishte kërkuar ndihmën e familjarëve të saj, të cilët e kishin dërguar në spitalin turk të Fierit për t’i shpëtuar jetën, kjo pasi i shoqi kishte refuzuar që ta ndihmonte të mjekohej. Pas trajtimit në Fier, ajo kishte filluar të përmirësohej, ndërsa tre muajt e fundit, ai i kishte ndërprerë çdo marrëdhënie me familjarët e saj dhe kishte refuzuar t’i lejonte ata në shtëpi.
Pas tre muajsh, 70 vjeçari pati kontaktin e parë me familjarët e Hatit, vetëm për t’i njoftuar se ajo po i vdiste në duar.
Ai kishte telefonuar një kushërirë të gruas për gjendjen, ndërsa kur u telefonua nga njëra prej motrave të gruas, e cila e kërcënoi se do të njoftonte policinë, ai më në fund u bind duke njoftuar ambulancën.
Çifti nuk kishin fëmijë, por 70-vjeçari ka tre djem nga martesa e tij e parë me një tjetër grua, e cila ka ndërruar jetë. Pas disa viteve që jetonin në Itali kishin vendosur që të ktheheshin në Shqipëri, ku e moshuara do të gjente vdekjen.
/a.r