Tensionet me Izraelin, vendet perëndimore u bëjnë thirrje qytetarëve të tyre që të largohen nga Libani

Disa qeveri perëndimore po u kërkojnë qytetarëve të tyre që të largohen nga Libani ndërsa përshkallëzohen edhe më tej tensionet mes Izraelit dhe militantëve të Hezbollahut që mbështetet nga Irani.

Libani po përgatitet për një reagim nga ushtria izraelite pas sulmit të dyshuar me raketë të Hezbollahut që vrau 12 fëmijë të komunitetit druzh në një fushë futbolli në Lartësitë Golan të shtunën. Izraeli ka thënë se do të hakmerret, ndërsa popullsia civile po përgatitet për atë që zyrtarët thanë se mund të jenë disa ditë lufte.

Shtetet e Bashkuara, Gjermania, Britania dhe Franca janë ndër shtetet që kanë lëshuar paralajmërime për qytetarët e tyre, duke u bërë thirrje që të largohen menjëherë nga Libani ose të shmangin udhëtimin atje ndërsa zgjerohet rreziku i konfliktit.

Rena Bitter, ndihmës sekretare për çështjet konsullore në ambasadën amerikane në Bejrut, tha përmes një postimi me video në rrjetin X se amerikanët në Liban duhet të “hartojnë një plan dhe të largohen përpara se të fillojë kriza”.

“Ne rekomandojmë që qytetarët amerikanë të hartojnë një plan veprimi dhe të largohen përpara se të fillojë kriza. Transporti i rregullt është gjithmonë alternativa më e mirë ndërsa qarkullimi lokal dhe infrastruktura e transportit janë ende të paprekura dhe funksionojnë normalisht”, tha zonja Bitter.

Gjermania u ka kërkuar shtetasve të saj që të largohen menjëherë nga Libani, duke nënvizuar mundësinë e pezullimit të fluturimeve dhe se përshkallëzimi i mëtejshëm i situatës mund të çojë në mbylljen e aeroportit të Bejrutit. Kompanitë ajrore si ‘Lufthansa’, ‘Swiss International Airlines’, ‘Ai France’ dhe ‘Turkish Airlines’ i kanë pezulluar fluturimet me Bejrutin, duke theksuar sigurinë në Liban.

Ministri i Jashtëm i qeverisë së përkohshme të Libanit, Abdullah Bou Habib, i tha rrjetit CNN se qeveria nuk mund të bëjë shumë për të frenuar Hezbollahun, por shtoi se mbeten të hapura linjat e komunikimit.

“Zgjedhja për ne është gjithmonë e keqe dhe më e keqe. Nuk mendoj se mund ta bëjmë. Por ne gjithmonë komunikojmë me ta. Kryeministri, dhe kryetari i parlamentit flasin me ta”, tha mes të tjerash shefi i politikës së jashtme të Libanit.

Grupi Hezbollah tha se dy pjesëtarë të tij u vranë në një sulm izraelit me dron në Libanin jugor të hënën në mëngjes. Analistja Dania Koleilat Khatib tha se nuk dihet se ku në Liban mund të godasë Izraeli.

Drejtuesja e Qendrës Kërkimore për Bashkëpunim dhe Ndërtimin e Paqes në Bejrut, Dania Koleilat Khatib, i tha Zërit të Amerikës se “të dy palët nuk duan luftë, por po përgatiten për të”.

“Të gjithë presin një goditje dhe ajo po vjen. Ata nuk i dinë përmasat, kështu që i vetmi mesazh që po i përcjellin Izraelit është se nëse i kaloni disa caqe, nëse futeni thellë, nëse futeni në Bejrut, ata do të përgjigjen”, tha zonja Hatib. “Shumë luftëra nuk janë të qëllimshme. Gabimet mund të çojnë në luftë dhe kjo është arsyeja pse kemi nevojë për armëpushim”.

I dërguari i posaçëm amerikan, Amos Hochstein, ka shprehur shqetësimin se “llogaritë e gabuara ose një aksident” mund të përfshijë popullsinë civile dhe mund të detyrojnë “njërin nga vendet të hakmerret në një mënyrë që do të shkaktonte një luftë”. Goditja e Bejrutit, tha ai, mund të shkaktojë një përshkallëzim të madh. /VOA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com