“Goditën” rreth 50 herë/ Vodhën sende me vlerë 2 milionë euro, arrestohen dy skifterët shqiptarë në Spanjë

Dy shqiptarë kanë rënë në prangat e policisë spanjolle pasi akuzohen për rreth 50 grabitje të realizuara në ishujt Ibiza dhe Mallorca.

Mediat spanjolle bëjnë me dije se shqiptarët 2 vitet e fundit kanë bërë kërdinë me vjedhje, të cilat arrijnë vlerën e dy milionë euro.

Të arrestuarit po hetoheshin nga forcat policore në Francë, Itali, Gjermani dhe Belgjikë për krime të ngjashme. Sipas Guardia Civil, në sendet e vjedhura janë gjetur më shumë se 20 ora luksoze dhe bizhuteri të shumta.

Të arrestuarit me origjinë shqiptare përzgjodhën viktima me fuqi të lartë blerëse me banim në Ishujt Balearik. Ata zakonisht i zgjidhnin kur dilnin nga restorantet luksoze dhe plazhet ekskluzive, ku arritën deri aty sa të shënonin automjetet e tyre me pajisje GPS për të identifikuar shtëpitë ku banonin dhe objektet e grabitjeve.

Më pas, ndërsa ‘viktimat’ ishin duke fjetur, hajdutët kanë hyrë në shtëpitë e tyre dhe kanë vjedhur kryesisht bizhuteri dhe ora të cilësisë së lartë, të cilat janë dërguar në tregun e zi nëpërmjet të tretëve.

Hetimi nga Garda Civile filloi afërsisht një vit më parë dhe ka lejuar, falë bashkëpunimit me Europol, të konfirmohet se të arrestuarit po hetoheshin nga forcat policore të Francës, Italisë, Gjermanisë dhe Belgjikës për krime të ngjashme.

Me këto arrestime janë gjetur më shumë se 20 ora luksoze të vlerësuara në tërësi rreth 350 mijë euro, së bashku me bizhuteritë e shumta. Gjithashtu janë gjetur mjete të specializuara për kryerjen e grabitjeve, aparate gjurmuese GPS dhe veshje që përdornin për të mos u identifikuar gjatë kryerjes së krimeve.

Hetimi mbetet i hapur dhe nuk përjashtohen arrestime të reja në të ardhmen, si dhe zbardhja e më shumë veprave kriminale të kryera në vende të tjera të Europës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com