Gjatë debateve në seancën maratonë të parlamentit ku u diskutua edhe për raportin vjetor të Bankës së Shqipërisë, Manja u shpreh se “në këtë seancë u anatemua shumë edhe roli i Shërbimit Përmbarimor privat. Ministrinë e Drejtësisë me Bankën e Shqipërisë e lidh veprimtaria e Shërbimit Përmbarimor Privat dhe ajo e kredimarrjes që jepet nga bankat ose institucionet financiare jobankare. Shërbimi Përmbarimor është i rregulluar me ligj të vitit 2008, pastaj në vitin 2019 miratuam ligj të ri për Shërbimin Përmbarimor Privat, që është një shërbim i vetërregulluar”.
Manja deklaroi se në Shërbimin Përmbarimor Privat ka 129 licenca aktive, ndërsa u kërkoi deputetëve që mos të etiketojnë këtë shërbim me një grusht përmbaruesish për të cilët Ministria e Drejtësisë ka bërë edhe kallëzim penal në prokurori.
“Në datën 30 maj i jam drejtuar Prokurorisë së Tiranës me një kallëzim penal për kryerjen e veprave penale me dyshime të arsyeshme për “mashtrim”, “përvetësim titulli apo detyrës shtetërore”, “shpërdorim detyre”, “fshehje e të ardhurave”, “pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” . Janë 12 përmbarues privat të kallëzuar prej meje, dy shoqëri mikrokredie dhe administratorët e këtyre dy shoqërive, 1 notere dhe një kompani përmbarimore. Tani i takon hetimit të thotë fjalën e vetë. 4 prej këtyre përmbaruesve privatë, që janë edhe bashkëpunëtorë me këto skema mashtrimi, u janë hequr përfundimisht licencat, 6 të tjerëve u janë pezulluar dhe 9 janë në proces heqje licencash, që do të thotë se institucionet nuk kanë heshtur, por kanë vepruar. Edhe Banka e Shqipërisë”, tha Manja.
Manja theksoi se nga këto skema nuk janë mashtruar 120 mijë qytetarë.
“Për 3 vjet Ministria e Drejtësisë ka marrë 700 ankesa në lidhje me këta përmbarues që sot janë denoncuar. Por mbi 95% e kredimarrësve janë qytetarë të rregullt që kanë marrë kredi në institucione financiare jo bankare, por nuk mund të thuhet se janë mashtruar 120 mijë qytetarë”, tha ai. ATSH