Kandidati i opozitës në Himarë Petro Gjikuria ka çelur sot fushatën.
I shoqëruar nga Vangjel Dule, Tedi Blushi dhe Ivi Kaso, ai e vuri fokusin te arrestimi i Belerit, duke premtuar se do të çojë përpara programin e tij. Në takim nuk mungoi as gjuha greke, teksa vetë Gjikuria e nisi fjalën në gjuhën helene.
“Sot Himara ka eurodeputetin e saj dhe në 4 gusht do të ketë dhe kryetarin e bashkisë. Bashkia Himarë nuk ka më kohë për të humbur. Prej vitesh vendi ynë ka mbetur pas teksa bota përparon. Një vend me njerëz punëtorë që kanë shkëlqyer kudo. Sot nuk është e denjë as për qytetarët e vet. Për 12 vite patëm një kryetar bashkie partiak. Një kryetar që qëndroi shumë kohë për të ndryshuar shumë pak. Fredi Beleri e pa veten pas burgut me akuza të fabrikuara. Qeveria ndryshon krerët e bashkisë dhe i kërcënon me burgim nëse nuk bëjnë atë që u thuhet. Këta janë marioneta pa asnjë mundësi për të zgjidhur problemet. Më kujtohet kur kandidoi Beleri për herë të parë në vitin 2015, ku isha dhe unë dhe votova. Më kujtohet kur në vitin 2019 nuk e lejuan. Mbaj mend se vjet sa u zemërova për arrestimin e tij dhe sa u lumturova kur u zgjodh kryetar bashkie”, tha ai.
Më pas Petro Gjikuria u ndje krenar që është pjesë e Federatës Panepiriote në SHBA. Ai ju përgjigj dhe akuzave se është ekstremist grek.
“Më cilësojnë si ekstremist se jam anëtar i Federatës Panepiriote. Së pari aty jam si përfaqësues i himariotëve dhe jam shumë krenar për të. Së dyti, Federata Panepoiriote ka një rol të rëndësishm dhe ka ofruar donacione në disa zona të Shqipërisë dhe Greqisë. Kemi ndihmuar shkollën publike të Gjirokastrës”, tha ai. Në fund e mbylli fjalën po në gjuhën greke.