“Trupat e tyre ranë mbi fushat e lulediellit në Ukrainë dhe…”/ Një dekadë nga tragjedia me Malaysia Airlines ku humbën jetën 298 persona, familjarët: MH17 vijon të na përndjekë

Duart e Hans de Borst dridheshin teksa shfletonte programin e shërbimit memorial. Vajza e tij 17-vjeçare Elsemiek ishte në bordin e MH17, si sot 10 vjet më parë.

Hans ishte ndër familjarët e parë që mbërriti në amfiteatrin e vogël në zemër të monumentit kombëtar MH17.

“Si ndihem?”, tha Hans duke përsëritur fjalët e gazetarit të BBC, “pak nervoz”.

Ai tregoi me dorë drejt rreshtave me karrige ku 1 300 të afërm e personalitete nga e gjitha bota, përfshirë mbretin holandez Willem-Alexander, do të uleshin.

298 persona vdiqën më 17 Korrik të 2014, kur avioni i pasagjerëve të Malaysia Airlines, që udhëtonte nga Amsterdami në Kuala Lumpur u godit nga një raketë ruse. Ajo u lëshua nga një zonë në lindje të Ukrainës që kontrollohej nga forcat ruse.

Në mesin e personave që merrnin pjesë ishte edhe ish-kryeministri holandez, Mark Rutte. I pyetur nga BBC nëse ai dhe qeveria e tij kishin bërë mjaftueshëm për t’i dhënë drejtësi viktimave Rutte tha: “Nuk e di, nuk e di vërtetë.”

Dy rusë dhe një ukrainas u dënuan për vrasje në mungesë nga një gjykatë holandeze në 2022-n.

Igor Girkin, Sergei Dubinsky dhe Leonid Kharchenko përballen të gjithë me burgim të përjetshëm, por mbeten në arrati për shkak se Rusia refuzoi t’i dorëzonte, që të përballeshin me drejtësinë.

Kremlini ka mohuar çdolloj përgjegjësie për katastrofën ajrore, që ka lënë shenjë përjetë në kujtesën e kombit holandez.

Vetë Rutte, i cili pritet të marrë në Tetor postin e sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, vuri në dukje vështirësitë për të vendosur drejtësi dhe u shpreh i prekur nga homazhet e së mërkurës, në 10-vjetorin e tragjedisë.

Disa prej të afërmve të atyre që humbën jetën shkëmbyen përqafime dhe disa fjalë me njeriun që ishte kryeministër në kohën kur ndodhi ngjarja dhe u largua nga ky post rreth 2 javë me parë.

“Mendoj se bëri gjithçka mundi”, tha Silene Frederiksz, djali i së cilës ishte në bordin e MH17.

“Dhe jam optimiste se Dick Schoof, kryeministri i ri holandez, do të vijojë të kërkojë drejtësi dhe përgjegjësinë. Ai ka qenë i përfshirë në hetimet e MH17, e kupton mirë”.

1 dekadë me vonë familjet kërkojnë ende të vërtetën dhe vënien e përgjegjësve para drejtësisë.

“MH17 vijon të më përndjekë”, thotë Piet Ploeg, i cili më 17 Korrik të 2014-s, humbi nipin, vëllain dhe kunatën.

Nga 298 viktimat, 196 ishin holandezë, 43 ishin nga Malajzia, 38 nga Australia dhe 10 nga Britania e Madhe.

Në mesin e të vdekurve, 80 ishin fëmijë.

Të afërmit e viktimave australiane morën pjesë në një shërbim memorial të ndarë, në shtëpinë e parlamentit në Canberra.

Lufta në lindje të Ukrainës, që në atë kohë kishte pak muaj që kishte nisur, shpërtheu në Shkurt të 2022-t, kur Rusia vendosi të pushtonte të gjithë Ukrainën.

Shumë prej të afërmve të holandezëve besojnë se armiqësitë aktuale mund të ishin shmangur nëse komuniteti ndërkombëtar do të kishte mbajtur një qëndrim më të ashpër pas goditjes së avionit.

Xheti i pasagjerëve shpërtheu teksa ndodhej në 10,000 metra lartësi. Trupat dhe mbetjet ranë mbi fushat me luledielli pranë Hrabove, në lindje të Ukrainës.

Që prej asaj kohe, lulediellit janë kthyer në një simbol të tragjedisë dhe familjarët i mbanin ato në duar teksa morën pjesë në ceremoninë në monumentin holandez, që ndodhet pranë aeroportit të Schiphol.

Për shumë prej familjeve, monumenti kombëtar MH17 është kthyer në një vend ku gjejnë ngushëllim.

Në këtë monument janë mbjellë 298 pemë, në kujtim të secilës prej viktimave. Te secila pemë, të afërmit vendosën lule, qirinj e foto të të dashurve të tyre, të cilët nuk u kthyen kurrë në shtëpi./tvklan.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com