Deputeti socialist, njëkohësisht kryetar i Komisionit të Posaçëm Antikorrupsion, Fatmir Xhafaj, deklaroi nga seanca plenare ku u diskutuan raportimet e organeve të reja të drejtësisë, se SPAK është duke dëshmuar integritet të lartë moral e profesional me rezultate të jashtëzakonshme. Ai tha se reforma në drejtësi nuk është vetëm SPAK, por gjithë sistemi në të gjithë territorin ku ende kemi problem me drejtësinë dhe shërbimet e drejtësisë.
“Në vlerësimin tim aktualisht po bëhet një gabim i madh, me apo pa dashje. Të gjithë flasin, siç ndodhi edhe sot në seancë, kryesisht vetëm për SPAK dhe me shumë të drejtë për çfarë ky institucion përfaqëson dhe po dëshmon me treguesit e punës së tij. Natyrisht SPAK, por edhe GJKKO kanë shumë arritje dhe një pjesë e mirë e gjyqtarëve dhe sidomos një shumicë e prokurorëve e hetuesve të SPAK janë duke duke dëshmuar integritet të lartë moral e profesional dhe duke bërë një punë të jashtëzakonshme. Kjo është një arritje e paimagjinueshme me pak vite më parë. Gjithsesi pavarësisht suksesit, tashmë mbas kësaj faze të ngritjes dhe veprimit të këtyre strukturave të specializuara krahas nevojës për të përmirësuar dhe forcuar më tej kushtet e garancit ligjore ndaj tyre ka ardhur momenti për të forcuar më tej autoritetin e gjyqtarit dhe barazinë e palëve në proces, kërkesën për rritje të cilësisë së hetimit dhe gjykimit, zbatimin e drejtë të ligjit dhe bazueshmërinë në prova, zbatimin e një politike më të drejtë e proporcionale në masat e sigurisë dhe dënimin penal etj.”, nënvizoi Xhafaj.
Më tej, i zgjedhuri socialist u shpreh se opozita ende heziton të bëhet pjesë e procesit dhe në vend të bashkëpunimit dhe përfshirjes me kontribute konkrete në këtë proces, ka zgjedhur paragjykimin mbi procesin dhe agresivitetin mbi vetë sistemin e drejtësisë.
“Nuk mund të jesh një forcë serioze, se alternativë e besueshme jo e jo, nëse një pjesë e juaja i drejtohet SPAK-ut si në një gjyq popullor duke i kërkuar drejtësi e ndëshkim penal për kundërshtarët politik dhe pjesa tjetër bën dhunuesin publik ndaj tij sic ndodhi edhe në seancën e sotme! Nuk mund të ketë prokurorë apo gjyqtar të mirë kur ju jep të drejtë dhe prokurorë e gjyqtarë të kapur apo të blerë kur nuk u japin të drejtë! Rezultatet e zgjedhjeve të njëpasnjëshme mbase duhet t’i bëj kundërshtarët tanë politik të kuptojnë se për qytetarët e këtij vendi qëndrimi ndaj drejtësisë së re, pavarësisë së saj, mbetet vija e kuqe. Këtë e kanë treguar qartazi qytetarët tanë me mbështetjen që i dhanë reformës në drejtësi dhe që vazhdojnë ti japin institucioneve të reja të drejtësisë”, deklaroi Xhafaj.
Xhafaj, i cili më herët ka mbajtur më herët postet e ministrit të Brendshëm e të Drejtësisë, tha se drejtësia penale nuk mund të jetë kurrësesi çështje numrash dhe as garë statistikash brenda sistemit.
“Edhe sepse çështjet penale janë tejet komplekse profesionalisht, por edhe delikate sepse kanë të bëjnë në thelb me liritë dhe të drejtat themelore të njeriut. Reforma në drejtësi, prokuroria e gjykatat nuk janë vetëm SPAK e GJKKO, por edhe ato dhjetra prokurori e gjykata në të gjithë territorin ku ka shumë e shumë më tepër probleme dhe në dyert e të cilave trokasin shumë më tepër njerëz që shpresojnë të zgjidhin drejt dhe në kohë hallet e tyre, të marrin drejtësi dhe të shërbehen me drejtësi”, shtoi ai.
Më tej, Xhafaj theksoi se është ndryshuar thellësisht sistemi i drejtësisë, por kemi ndryshuar shumë pak kulturën tonë të sjelljes e reagimit ndaj institucioneve të saj. Seanca e sotme ishte dëshmia kuptimplotë e këtij fakti.
“Ky realitet ka zënë vend edhe në raportin screening të BE që shprehimisht ka theksuar se: “Kontrolli parlamentar i punës së institucioneve të pavarura kryhet, por mbetet një proces burokratik që në pjesën më të madhe limitohet në shqyrtimin e raporteve të tyre vjetore”. Përpjekja e bërë në këtë fillim viti nga maxhoranca për të reflektuar mbi këtë rekomandim të BE ishte një hap shumë pozitiv që fatkeqësisht nga disa u keqkuptua dhe nga një pjesë tjetër u keqpërdor për interesa të politikës dritëshkurtër që nuk mungon të flasi papushim për drejtësinë, por shumë pak bën për të ndryshuar qasjen e sjelljen ndaj saj”, nënvizoi Xhafaj.
“Kjo është një vijë e qartë ndarëse midis atyre që duan drejtësi të pavarur dhe barazinë para ligjit në këtë vend dhe atyre që duan një drejtësi me telekomandë politike, një drejtësi të nënshtruar nga pushteti politik dhe pushteti i parasë e krimit. Kjo është një betejë e madhe që është duke e ndryshuar shoqërinë tonë, një betejë midis të djeshmes dhe të nesërmes europiane. Nuk ishte një betejë e lehtë dje kur nisi dhe u miratua kjo reformë dhe nuk ka sesi të jetë sot kur drejtësia ka filluar të veprojë mes nesh dhe ndaj nesh, pa dallim gradën politike që mban apo sa vite mban mbi supe xhaketën e pushtetit”, deklaroi socialisti.