Një baba që u merr jetën fëmijeve të tij… Është ky rasti i rëndë i ndodhur në Sydney të Australisë të Dielën, ku një 28 vjeçar i vuri flakën shtëpisë dhe mbylli dyert, duke mos u lënë asnjë shans fëmijëve e gruas së tij të dilnin jashtë.
Siç raportojnë mediat e huaja, 3 fëmijët më të vegjël të çiftit ndërruan jetë në vend, ndërsa 4 të tjerë të moshave 4-11 vjeç ia dolën të shpëtonin bashkë me të ëmën. Kjo falë ndihmës së fqinjëve, të cilët panë shtëllungat e tymit dhe ndërhynë…
Njëri nga fqinjët, Jarrod Hawkins thotë se dëgjoi britmat e fëmijëve dhe vrapoi drejt shtëpisë. Ai rrëfen se babai i fëmijëve me gjakftohtësi të plotë u përpoq ta ndalonte.
Ndaj të riut rëndojnë 3 akuza për vrasje, 5 të tjera për tentativë vrasjeje e po ashtu për shkatërrim prone.
Tashmë ai ndodhet në spital nën masa të rrepta sigurie, ndërsa nuk paraqesin rrezik pjesa tjetër e familjes. Autoritetet australiane e kanë cilësuar si një ndër rastet më të rënda që kanë hasur ndonjëherë.
/a.r