Ka ndërruar jetë në moshën 57-vjeçare gazetari Aristir Lumezi.
Mësohet se ai është ndarë nga jeta ditën e sotme (10 korrik) pasi prej disa kohësh vuante nga një sëmundje e rëndë.
Me një karrierë 25 vjeçare, ai spikati fillimisht si reporter i politikës. Lumezi dha kontributin e tij në disa media të rëndësishme në vend dhe së fundmi edhe si kryeredaktor i gazetës Panorama.
Nënkryetari i Kuvendit, Agron Gjekmarkaj reagoi në rrjete sociale për ndarjen nga jeta të gazetarit.
“Me keqardhje të thellë mësova për ndarjen nga jeta të njërit prej lajmëtarëve më cilësorë të Shqipërisë, Aristir Lumezit. Kryeredaktorit të gazetës “ Panorama”. Një njeri i ndershëm, një profesionist i rangut të lartë , një ndërgjegje analitike , do t’i mungojë familjes, medias e në veçanti gazetës “Panorama” por edhe vendit. Kam patur fatin të bashkëpunoj me të si një bashkëpunëtor i hershëm i këtij organi dhe t’ja njoh përkushtimin e tij për të vërtetën, gjykimet e tij mbi ngjarjet dhe personazhet, rëndësinë që i jepte lajmit me dashuri të madhe për punën dhe kodet e saj etike.
Larg nevojës për protagonizëm por afër çdo ngjarjeje që shënonte jetën e shoqërisë, politikës dhe shtetit tonë! Gjithmonë i qetë, gjithmonë i durueshëm për të dëgjuar dhe i saktë në përfundime. Ishte një gazetar shqiptar e europian në performancën e tij , modern e urban në këndvështrim, njohës i mirë i mentaliteteve dhe territorit. Lumezi mbetet një shembull për të gjithë ata që duan të bëhen gazetarë por edhe qytetarë model. I përjetshëm qoftë kujtimi i tij’, shkruan Gjekmarkaj.