Një ditë pas zgjedhjeve: Skenarët, koalicionet e mundshme dhe “makthi” i paqëndrueshmërisë politike

Rezultati i raundit të dytë të zgjedhjeve franceze duket se krijoi një “përçarje” mes partive në vend, duke krijuar një Asamble Kombëtare të ndarë në tre blloqe të ndryshme. Por asnjëra prej këtyre ndarjeve nuk krijon dot e vetme shumicën absolute për të formuar një qeveri dhe, me të gjitha llogaritë, Franca është në prag të një periudhe të gjatë pasigurie politike, me frikën e mungesës së qeverisë.

Kjo paqëndrueshmëri politike pritet të sjell një risk kombëtar e ndërkombëtar për një nga vendet dhe ekonomitë më të forta në botë.

Në veçanti, pas votimit të djeshëm, aleanca e majtë “Fronti i Ri Popullor” (NFP) vjen e para, duke mbledhur 182 mandate , sipas gazetës franceze “Le Monde”. Pasohet nga aleanca centriste “Ansamble” e presidentit francez, Emmanuel Macron, me 163 vende, ndërsa e djathta ekstreme “Rally Kombëtare” (RN) e Marine Le Pen, duke përmbysur parashikimet, doli e treta me 143 vende.

Negociatat midis liderëve të partive tani do të përcaktojnë nëse një qeveri koalicioni me 289 vendet e nevojshme është e mundur , ose nëse kjo dështon, një nga tre blloqet e krijuara do të duhet t’i nënshtrohet votëbesimit.

Një opsion alternativ do të ishte një qeveri teknokratësh deri në mbajtjen e zgjedhjeve të reja vitin e ardhshëm.

Megjithatë, bazuar në rezultatin e djeshëm, RN e Le Pen do të mbetet e izoluar në Asamblenë Kombëtare, por do të vazhdojë të përbëjë një kërcënim për çdo qeveri nëse zgjedh të marrë pjesë në mocionet e mosbesimit.

Një zyrtar i Elysee tha se Macron do të presë që përbërja e Asamblesë së re Kombëtare të marrë vendimet e nevojshme, duke iu referuar rolit të presidentit francez në emërimin e kryeministrit.

Sipas rrjetit televiziv BFMTV, kryeministri Atal do t’i dorëzojë dorëheqjen presidentit francez mesditen e kësaj të hëne, dorëheqje të cilën e njoftoi vetëm pak momente pas përfundimit të votimit.

A mundet NFP e krahut të majtë të udhëheqë një qeveri të pakicës?

Si fitues të papritur të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, drejtuesit e “Frontit të Ri Popullor” kanë deklaruar se do të kërkojnë të formojnë një qeveri për të zbatuar axhendën e tyre ekonomike progresive por të kushtueshme, siç shkruan Financial Times.

NFP, megjithatë, përbëhet nga nënparti të ndryshme, nga e majta ekstreme “La France Insoumise”, te socialistët, të gjelbërt dhe komunistët më të moderuar, ndaj pritet të ketë konflikte të brendshme përsa i përket vendimit për nxjerrjen e emrit të ri për kryeministër.

Informacionet nga mediat franceze nxjerrin në pah skenarin e votimit brenda PFP për emërimin e një personi për kryeministër.

Çështja se kush mund të marrë postin e kryeministrit pritet të jetë veçanërisht e “nxehtë”, me liderin e “Francës së Pabindur” (LFI), Jean-Luc Mélenchon, duke ofruar ‘ofertat’ e tij pavarësisht kundërshtimeve të aleatëve të tij.

Brenda “Frontit të Ri Popullor”, LFI është forca më e madhe me 72 mandate, sipas të dhënave të Ipsos, por të gjitha partitë e tjera së bashku e tejkalojnë atë.

“Çelësi” pritet të jetë ruajtja e unitetit, pasi centristët e Macron do të kërkojnë të “tërheqin” elementët e qendrës së majtë të NFP dhe t’i sjellin me vete.

Udhëheqësja e të Gjelbërve, Marine Todellier, e cila ka fituar ndikim në Frontin e Ri Popullor, tha se ata synojnë të qeverisin.

“Ne jemi të vendosur  të zbatojmë programin tonë për ndryshim,” tha Todellier.

Sa e mundshme është një aleancë?

Blloku centrist i Ansamblit pranë Presidentit Macron pësoi një goditje të madhe, duke humbur pothuajse një të tretën e 250 vendeve që mbante në Asamblenë Kombëtare.

Megjithatë, edhe tani shumë besojnë se mund të arrijnë një marrëveshje.

“Siç e shihni, ne kemi një rol kyç në diskutime. Askush nuk mund të arrijë shumicën pa ne”, tha një deputet i rizgjedhur, duke dhënë një ide të atmosferës brenda Ansamblit. 

“Goditja e nevojshme” për strategjinë e Macron vlerësohet të jetë dëbimi i Francës së Pabindur (LFI) të Mélenchon nga blloku i së majtës franceze dhe më pas një aleancë me socialistët, të gjelbërt dhe komunistët.

Dhe siç parashikon ish-ministri i Jashtëm, Ibert Védrin, Macron mund të mbajë Gabriel Attal si kryeministër të përkohshëm, veçanërisht përpara Olimpiadës që fillon më 26 korrik, përpara se të përpiqet të formojë një koalicion të qendrës së majtë. Megjithatë, ai shpreh dyshimet nëse “e majta e hefronit” do të arrijë të prishë lidhjet me Francën e Pabindur.

Por axhenda e një aleance të qendrës së majtë mund të rezultojë e paqëndrueshme për partinë e Macron, me kërkesa të tilla si heqja e moshës jopopullore të pensionit ose një ligj imigracioni i miratuar vitin e kaluar. E majta gjithashtu ka të ngjarë të kërkojë rritje të taksave, diçka që centristët e kanë përjashtuar.

Megjithatë, në një koalicion të mundshëm të forcave të Macron me (ndonjë) forca të qendrës së majtë, mediat franceze raportojnë se zgjidhja e socialistit Raphael Glicksman për postin e kryeministrit po konsiderohet si një rrugë dukshëm më e moderuar në krahasim me Mélenchon.

Zgjidhja e një qeverie teknokratësh?

Nëse asnjë qeveri nuk del nga “pazaret paszgjedhore”, Macron mund të emërojë një qeveri të kryesuar nga një nëpunës i lartë civil ose një figurë e pranuar gjerësisht jopartiake për të qeverisur të paktën deri në qershor të vitit 2025, kur është e mundur me kushtetutë të shpallen zgjedhje të reja. Christine Lagarde, presidentja aktuale e BQE-së, është një emër i lakur për kryeministre, por nuk duket se ka shumë shanse.

Basti i parë i një qeverie të mundshme teknokrate është miratimi i buxhetit në vjeshtë. Megjithatë, një qeveri e tillë është shumë e ndjeshme ndaj mocioneve të mosbesimit, me rënien e saj që teston kufijtë e Republikës së Pestë si kurrë më parë.

Qëndrimi deri në qershorin e ardhshëm do të ishte “skenari më i keq”, tha Francois Patria, një senator dhe aleat i ngushtë i Macron, dje, duke shtuar se sot, të hënën, presidenti do të thërrasë të gjithë liderët e partive për konsultime.

Muttaba Rahman, drejtor menaxhues i Eurasia Group, një kompani konsulence për rrezikun politik, tha:-“Franca tani po përballet me një periudhë konfuzioni të thellë politik, të cilin Le Pen mund ta shfrytëzojë”. “Forcat politike të përplasura të së majtës, të djathtës dhe qendrës do ta kenë të vështirë të bien dakord në muajt e ardhshëm për të zbutur zemërimin ose shqetësimet e elektoratit francez,” shtoi Rahman.

/a.r

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com