Të paktën 16 persona janë vrarë në një sulm ajror izraelit në një shkollë në Rripin e Gazës. Lajmi është bërë i ditur nga zyrtarët palestinezë, sipas të cilëve dhjetëra të tjerë janë plagosur. Sipas ministrisë së shëndetësisë të drejtuar nga Hamasi, ndërtesa strehonte mijëra njerëz të zhvendosur në kampin e refugjatëve Nuseirat në Gaza qendrore.
Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) thanë se goditën disa “terroristë që vepronin në strukturat e vendosura në zonën e shkollës Al-Jaouni”.
“Militantët e Hamasit po përdornin vendndodhjen si një “strehë” për të kryer sulme kundër trupave të IDF, thanë forcat e mbrojtjes izraelite.
Ndërkohë, raportohet se 10 persona janë vrarë në një sulm të veçantë ajror në një shtëpi në kamp.
Video nga skena e shkollës Nuseirat tregon të rriturit dhe fëmijët duke bërtitur në një rrugë të mbushur me tym të mbuluar me pluhur dhe rrënoja, ndërsa vrapojnë për të ndihmuar të plagosurit.
Dëshmitarët okularë i thanë BBC-së se sulmi kishte në shënjestër katet e sipërme të shkollës, e cila ndodhet pranë një tregu të frekuentuar.
Një grua i tha agjencisë së lajmeve AFP se si disa fëmijë u vranë teksa po lexonin Kuranin kur ndërtesa u godit. “Kjo është hera e katërt që ata synojnë shkollën pa paralajmërim”, tha ajo.
Një burim lokal tha se objektivi ishte një dhomë që dyshohet se përdorej nga policia e Hamasit.
Hamasi tha se pesë gazetarë lokalë ishin në mesin e të vrarëve në sulmet izraelite të shtunën. Anëtarët e familjes së tyre thuhet se ishin gjithashtu në shënjestër.
Më shumë se 100 gazetarë kanë humbur jetën në Gaza që nga sulmet e 7 tetorit, sipas Reporterëve pa Kufi. Hamasi tha se pesë viktimat e fundit e çojnë numrin në 158.
/a.r