I arrestuar për abuzim me fondet e BE-së, Ilir Beqaj mohon akuzat para togave të zeza

Në Gjykatën e Posaçme po zhvillohet prej orës 12:30 seanca për vlerësimin e masave të sigurisë për Ilir Beqajn dhe bashkëpunëtorët, nën hetim për korrupsionin me fondet e BE në SASPAC.

Burimet bëjnë me dije se në seancën që po zhvillohet, ish-ministri Beqaj ka mohuar akuzat që SPAK ka ngritur ndaj tij. Seanca vijon të zhvillohet me dyer të mbyllura, pa praninë e medias. Pas mbrojtjes së Beqajt do të vijojë mbrojtja e të akuzarve të tjerë. Ilir Beqaj ka kërkuar lirim me garanci pasurore në gjykatë dhe ka ofruar 5 milionë lekë të reja.

Seanca u shty për sot me kërkesë të avokatëve mbrojtës, të cilët kërkuan kohë për tu njohur me aktet hetimore. Gjyqtarja Rudina Palloj do të vlerësojë masat e sigurisë.

Arrest me burg është vendosur për Ilir Beqajn ish-ministër dhe ish-drejtor i SASPAC, bashkëpunëtorin e tij Ermal Kurtulaj, koordinator i projektit EUSAIR, dhe Alfred Nikollën, drejtori Administrativ i ‘Landëays International’. Ndërkohë, arrest shtëpie është caktuar për Elton Marini ortak i shoqërisë private dhe Gazmend Haxhia – Pronari i ‘Landëays International’, por për të nuk është ekzekutuar masa e sigurisë pasi ndodhet jashtë shtetit. Në detyrim me paraqitje janë Bledar Leka e Bjona Zijaj konsulentë financiarë.

I vetmi që ka katër akuza është ish-ministri Ilir Beqaj ndaj të cilit SPAK ka ngritur akuzat e korrupsionit pasiv, mosdeklarimit dhe fshehjes së pasurisë, mashtrimit, dhe pabarazisë në tenderë. Ndërsa të proceduarit e tjerë akuzohen për korrupsion aktiv dhe pasiv si dhe për mashtrim.

SPAK thotë se ka gjetur prova se Ilir Beqaj si drejtues i SASPAC, në bashkëpunim me Kurtulajn, të cilin vetë e kishte emëruar, urdhëronte procedura fiktive prokurorimi, me vlerë qindra mijëra euro, kompanive të ndryshme për shërbime të pakryera dhe përfitues fundor të ishte pikërisht vetë ish ministri përmes Restorant Gzona në Tiranë, që SPAK thotë se është në pronësi të tij.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com