Nga Diaspora tek Tabaku, në kërkim të një kandidati për lider të opozitës….Berisha, ‘nyja’ bllokuese

“Unë do të preferoja një figurë që vjen nga diaspora, një figurë të pakontesueshme që do të gëzonte besimin e të gjithë strukturës së partisë. Nuk e kam emrin, por po bëj profilin si do doja unë. Edhe Tabaku mund të ishte një figurë e shkëlqyer për kandidate për kryeministre, qoftë për profilin që ka, qoftë për individin që përfaqëson”

Kështu u shpreh pak ditë më parë një ndër përfaqësuesit kryesorë të PD-së, Gazmend Bardhi. Ideja është shprehja e qartë e një kompleksi të ngulitur të politikës shqiptare që kërkon të grimojë veten me gjetje të pakontaminuara, ndërkohë që problemet zgjidhen nga ata që i krijojnë. Mirëpo brenda PD-së, madje Byrosë drejtuese të saj, ka kundërshti. Argita Malltezi, vajza e kryetarit të PD-së, Sali Berisha, shprehet kundër për momentin ndaj kësaj ideje duke cilësuar se ajo është e pastestueshme.

“Mendoj që është një eksperiment i patestuar, por edhe i rrezikshëm në një farë mase, sepse vlerësimi me realizëm i situatës autokratike në të cilën ndodhet Shqipëria, i eliminimit të zgjedhjeve të lira, për shkak të masave represive të Ramës me të gjitha format, me drejtësinë, në kapjen e financave publike etj, e bën të pamundur një gjë të tillë, sado që është një ide shumë e mirë.

 E kam dëgjuar idenë, por kam menduar se bëhet fjalë për një kryeministër pas fitorës së zgjedhjeve, sepse atëherë, kuptohet që është fare e mundur si alternative”, ka thene ajo.

Malltezi ka lënë të kuptohet se Sali Berisha ka në mendje të kërkojë një mandat të ri për kryeministër, një sfidë më vete kjo për skenën politike opozitare. Kur kanë mbetur diçka më pak se një vit nga zgjedhjet, opozita ende nuk ka kristalizuar një mendim të pjekur se kush duhet të garojë përballë Edi Ramës.

Kandidatët e importuar duken një modë që po perëndon, sidomos nëse shohim edhe përvojën me Greqinë. Kasselakis i Syrizas, përfaqëson çdo gjë jokonvencionale në Greqi, por ai dështoi për arsye që formalisht kanë të bëjnë me mentalitetin e tij në drejtim, diçka që nuk pritet kur kandidati vjen nga Perëndimi, pra me kredencialet e demokracisë.

MItsotakis erdhi nga Perëndimi si karrierë, por ai ka një trashëgimi politike familjare në emrin e tij, kështu që diskutimi i nisur sot me ide për një kandidat nga jashtë, që është në rolin e një Bashe në duart e dikujt tjetër, e bën propozimin një element me shumë të panjohura, pa folur për faktin se ndërhyn në koniunkturën e tanishme të PD-së me një dërgesë që nuk dihet se çfarë përfaqëson realisht, por që sugjeron se në PD sot ka njerëz që kërkojnë njerëz jashtë ndikimit të Berishës./respublica

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com