Maqedonasit kundër censit në Shqipëri: Nuk ka minoritet bullgar, të ribëhet regjistrimi

Partia Aleanca e Maqedonasve për Integrimin Europian (AMIE) kërkon zhvillimin e një censi të ri të popullsisë, për shkak se sipas tyre, është ndërhyrë nga Bullgaria për të ulur numrin e maqedonasve dhe rritjen e numrit të personave të deklaruar si bullgarë.

“Shpreh indinjatën dhe mospranimin e rezultateve të publikuara të Censit 2023, duke theksuar se shifrat për minoritetin maqedonas janë të manipuluara dhe të falsifikuara. Procesi i regjistrimit të popullsisë nuk ishte i drejtë dhe transparent, dhe nuk u zbatuan standardet ndërkombëtare dhe ato të Eurostatit. Mënyra se si u zhvillua censi vitin e kaluar dhe mbledhja e të dhënave mbi përkatësinë etnike është kryer me shkelje te shumta gjatë procesit”, tha kryetari i partisë, Vasil Sterjovksi në një deklaratë për mediat.

“Një nga problemet që kemi pasur gjatë periudhës përpara fillimit të censit si dhe gjatë censit është presioni nga ana e Bullgarisë që minoritetit maqedonas të deklarohet bullgar. Ky presion vinte pas njohjes nga Shqipëria në vitin 2017, të një minoriteti inekzistent bullgar brenda kufijve të saj, pas kërcënimit të Bullgarisë me vendosjen e vetos ne rrugën evropiane, ku sipas të dhënave zyrtare të censusve të realizuara ndër vite si dhe censi i vitit 1989 dhe ai i fundit në vitin 2011, në Shqipëri nuk është vetëdeklaruar asnjë banor si bullgar”.

Sipas tij, institucionet shqiptare nuk kanë mare asnjë masë për t’i garantuar minoritetit maqedonas deklarim të lirë dhe të paanshëm pa presione të jashtme nga ana e Bullgarisë por kanë ndihmuar hapur autoritetet bullgare.

“Përpara fillimit të censusit por edhe gjatë censusit në zonën e Prespës, Gorës dhe Gollobordës ku jeton minoritet maqedonas, kanë ardhur përfaqësues të institucioneve bullgare të cilat kanë dhuruar ndihma të ndryshme por edhe kanë bërë propaganda banorët të deklarohen bullgar pasi do të pajiseshin me pasaporta bullgare. Personat e komunitetit maqedonas, të cilat kanë aplikuar për pasaporta bullgare dhe janë në proces për marrjen e pasaportës si para fillimit të censusit ashtu edhe gjatë censusit po kontaktoheshin nga ambasada bullgare dhe nga ndërmjetësuesit e pasaportave të deklarohen bullgar në census përndryshe nuk do të marrin pasaportat. Në terren në zonat ku jetonte komuniteti maqedonas po bëheshe fushatë të deklarohen bullgarë dhe pasi të deklarohen do të kishin mundësi të marrin vërtetim nga bashkitë se janë deklaruar bullgarë dhe menjëherë do të merrnin pasaportën bullgare”.

Ai gjithashtu akuzon se “shtetasit shqiptar kanë marrë pasaporta bullgare dhe kanë paguar mijëra euro për atë pasaportë sepse është pasaportë evropiane dhe jo se janë bullgarë dhe me atë pasaportë mund të shfrytëzojnë privilegjet e Bashkimit Evropian.

“Në Bashkinë Pustec ku presioni i Bullgarisë ka qenë i madh, nga gjashtë javë që ka zgjatur censi, popullsia është regjistruar vetëm për tre javë dhe gjatë këtyre tre javëve nga ankesat që na kanë ardhur, kemi konstatuar se anketuesit nuk kanë vizituar shumë shtëpi dhe se shumë familje që ndodheshin fizikisht në Bashkinë Pustec dhe që kërkuan të regjistroheshin, disa nga anketuesit nuk i regjistruan me arsyetimin se nuk jetojnë këtu. Edhe pse nga ana e INSTAT na u premtua se do të regjistroheshin të gjithë banorët e Bashkisë Pustec dhe do zgjatej periudha e censit në Pustec për dy javë siç ndodhi në zona të tjera ne Shqipëri, kjo gjë nuk ndodhi dhe shumë banor nuk u regjistruan edhe pse fizikisht ndodheshin ne territorin e Bashkisë Pustec.

Anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin  Europian është vendim strategjik i vendit tonë si dhe kërkesë e qytetarëve shqiptar pavarësisht përkatësisë etnike. Komuniteti maqedonas në Republikën e Shqipërisë nuk mund të jetë dëm kolateral në rrugën e Shqipërisë drejt anëtarësimit Europian.

Partia Aleanca e Maqedonasve për Integrim Europian, jo vetëm që nuk i njohe të dhënat e këtij censi, të falsifikuar, për minoritetin maqedonas, por kërkojmë edhe nga institucionet e vendit dhe ato ndërkombëtare që të bëjnë të njëjtën gjë, sepse këto rezultate te falsifikuara dalin haptazi kundër rendit kushtetues dhe aspiratave europiane të Shqipërisë. Prandaj kërkojmë realizimin e një censi të ri, në bazë të standardeve ndërkombëtare dhe nën monitorim ndërkombëtar, për të garantuar një proces të ndershëm dhe transparent që reflekton realitetin etnik të Shqipërisë”.

/a.r

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com